Një epokë e re në Zürich: Omer Xhemali emërohet drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë
Mjeku i njohur shqiptar, Omer Xhemali, është emëruar drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë në Zürich. Ky është njëri ndër postet më të rëndësishme në kardiokirurgjinë evropiane. Portret i një mjeku që si gjimnazist përjetoi zymtësinë e shtypjes së shqiptarëve në Maqedoni, si student i shpëtoi luftës në Sarajevën e rrethuar, pastaj – në Gjermani – shkëlqeu si student, kardiokirurg dhe shkencëtar. Dhe një ditë erdhi në Zürich…
Befasisht në një ditë pranvere, vite më parë, ra muhabeti për Tetovën. Në hotel “Evropa” në Sarajevë takova një ish-politikan, gazetar, publicist dhe pasardhës të një familjeje fisnike boshnjake. Në fund të viteve ‘80, në prag të shembjes së Jugosllavisë, boshnjaku ishte politikan liberal. Kur në horizont po dukej shtrëngata e luftërave të ardhshme, ai – si funksionar shtetëror – vizitoi Tetovën. «Shkova me një delegacion për të parë si është gjendja atje. Më parë qëndrova në Prishtinë, ku nacionalizmi serb kishte marrë hov të madh. Në Tetovë vizituam një ndërmarrje shtetërore, pastaj funksionarët lokalë na shtruan drekë. Aty më ra në sy një anomali: shqiptarët mund të punonin vetëm si kamerierë. Ata na sillnin ushqimin, pije dhe kafetë, ndërsa ne flisnim për politikë. Kur i pyeta liderët lokalë komunistë se ku janë shqiptarët, ata rrudhën supet».
Rrëfimi i dytë
Afërsisht në atë kohë kur politikani nga Sarajeva vizitoi Tetovën, prindërit e gjimnazistit Omer Xhemali, të dy arsimtarë në rrethinën e Tetovës, po e ndiqnin një ëndërr: dëshironin ta regjistronin djalin e tyre në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Një ditë njëri nga vendimmarrësit në universitet i tha babait të Omer Xhemalit se djalin mund ta regjistronte nëse «do të jepte diçka». Për shembull një veturë Golf, njërën nga ato që atëbotë prodhonte Fabrika e Veturave në Sarajevë (TAS). «Jam arsimtar dhe nuk kam para për dhurata të tilla», u përgjigj prindi i shqetësuar. Refuzoi të japë ryshfet dhe doli nga zyra.
Rrëfimi i tretë
Në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, Omer Xhemali u nis për në Sarajevë, ku filloi studimet për mjekësi. Nëpër qytet jehonin njëkohësisht kërcënimet me luftë të psikiatrit të çmendur, Radovan Karaxhiq, dhe klithmat e mijëra qytetarëve kundër luftës. Pas fjalëve u shkrepën plumbat e parë, u vranë civilët e parë, forcat serbe filluan të hapin istikamet e para në kodrat përreth Sarajevës. Së shpejti do të fillonte rrethimi i Sarajevës, më i gjati rrethim i një qyteti në historinë bashkëkohore. Rreth 11 mijë të vrarë, mes tyre qindra fëmijë. Ky është bilanci i përgjakshëm i forcave serbe vetëm në Sarajevë. Omer Xhemali i shpëtoi tmerrit dhe pas një odiseje disaditore të ikjes nga qyteti, arriti në Aeroportin e Sarajevës. E braktisi kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës me një avion të mbushur dëng me njerëz. «S’kishte vend për t’u ulur dhe qëndrova në këmbë gjatë fluturimit», tregon ai sot.
Lajmi i madh
Të enjten, Spitali Universitar i Zürichut ka njoftuar se Omer Xhemali është emëruar drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë në Zürich dhe ligjërues i së njëjtës lëndë në Universitetin e Zürichut. Ky është njëri ndër postet më të rëndësishme në kardiokirurgjinë evropiane. Deri më tani Xhemali ka punuar si drejtor i Klinikës së Zemrës në Spitalin e Qytetit të Zürichut (Triemli). Që nga viti 2016 ai ka qenë i angazhuar edhe në Spitalin Universitar të Zürichut dhe e njeh mirë punën e klinikës së zemrës. Ky është një parakusht i shkëlqyeshëm që në të ardhmen të dyja klinikat e zemrës të bashkëpunojnë edhe më ngushtë në rritjen e efikasitetit dhe shërbimeve ndaj pacientëve, thuhet në një komunikatë të Spitalit Universitar të Zürichut. Se me çfarë profesionalizmi dhe përkushtimi Omer Xhemali e kryen punën jashtëzakonisht të përgjegjshme të kirurgut të zemrës, ndoshta mjafton ky shembull: me një rast, ndërsa po festonim ditëlindjen e tij, mes mysafirëve u shfaq edhe një zviceran që kishte bërë tatuazh emrin e Omer Xhemalit – një gjest i pazakontë falënderimi për operacionin e suksesshëm.
Rruga deri këtu
Nga Sarajeva Omer Xhemali vajti në Mainz të Gjermanisë, ku mes viteve 1993-2000 studioi mjekësinë në Universitetin Johannes Gutenberg. Për të gjetur një vend për të studiuar, ai zhvilloi një betejë titanike dhe në fund i punoi pak edhe fati. «Si student kam punuar kamerier dhe sot kur shoh njerëz që sillen keq me kamerierë, u them: kujdes se nesër ky mund të ta operojë zemrën. Andaj silluni mirë me kamerierë». Në vitin 2000 Omer Xhemali promovoi dhe mori titullin doktor i mjekësisë. Deri në vitin 2009 ai në Universitetin Johann-Wolfgang-Goethe të Frankfurtit kaloi rrugën klasike të përparimit në karrierë: mjek asistent, specialist, kryemjek, pastaj habilitoi në fushën e kirurgjisë së zemrës. Habilitimi në Gjermani dhe në disa vende të tjera evropiane është provimi i nivelit më të lartë përmes të cilit fitohet e drejta për të ligjëruar në universitet. Po atë vit, Omer Xhemali mori titullin «docent privat» dhe rrjedhimisht autorizimin për të ligjëruar. Dhe po atë vit bëri një hap tjetër të rëndësishëm në karrierë: u punësua si zëvendësdrejtor i Klinikës së Zemrës në Spitalin e Qytetit të Zürichut (Triemli). Që nga viti 2009 kjo klinikë është bërë ndër më të suksesshmet në Zvicër – dhe meritat kryesore i ka Omer Xhemali, i cili ka kryer me qindra operacione të suksesshme. Nga viti 2018 ai është shef i Klinikës së Zemrës në Spitalin e Qytetit të Zürichut (Triemli).
Paraardhësit në Zürich
Për të kuptuar rëndësinë e postit që do të ushtrojë Omer Xhemali në Zürich, duhet shikuar pak në histori dhe në biografitë e paraardhësve të tij në Klinikën Universitare të Kardiokirurgjisë në Zürich. Në vitin 1961 në Zürich erdhi kirurgu i famshëm suedez Åke Senning. Vite më parë Senning kishte zbuluar bashkë me mentorin e tij të kirurgjisë Clarence Crafoord makinën e parë për qarkullim ekstrakorporal, domethënë një makinë që e zëvendëson funksionin e zemrës dhe mushkërive. Me ndihmën e kësaj makine Crafoord më 1954 kreu operacionin e parë në zemër të hapur në Evropë. Në Klinikën e Kirurgjisë të Spitalit Universitar në Zürich, Åke Senning më 1969 kreu dy transplantimet e para të zemrës në Zvicër. Senning ishte një vizionar i madh. Që më 1958 ai zbuloi, bashkë me një inxhinier të elektroteknikës, pejsmejkerin e implantueshëm të zemrës. Specialistë të tjerë të njohur të zemrës në Zürich kanë qenë edhe gjermani Andreas Roland Grüntzig dhe kroati Marko Turina.
Çka është zemra?
Një poet romantik zemrën do ta përshkruante si një organ që fluturon në qiell ose dhemb kur bartësi i zemrës dashurohet ose vuan nga ndonjë hall tjetër. Mjekët si Omer Xhemali kanë një shpjegim tjetër, teknik dhe ironik. «Zemra është një pompë shumë efikase. Gjatë një dite ajo rrah afërsisht 86 mijë herë, 30 milionë herë gjatë vitit ose rreth 2,4 miliardë herë në jetën e një 80-vjeçari», shpjegon Omer Xhemali në zyrën e tij. Në mur mban të varur një portret të bukur të Nënë Terezës. Ndodh shpesh që pacientët, pas operacionit, të dërgojnë ndonjë letër. Falënderime të zakonshme. Por nganjëherë disa pacientë shkruajnë perla pothuaj letrare. Njëri prej tyre kështu e përshkruan rrugën drejt sallës së operacionit ku e pret Omer Xhemali: përshëndetje dhe inkurajim nga personeli, një batanije e ngrohtë, tani mendoni diçka të bukur, lidhja me aparatet mjekësore, një koreografi profesionale, të gjithë në lëvizje si të ishin valltarë e valltare të Baletit «Liqeni i Mjellmave» të Pjotër Iliq Çajkovskit. Në letrën falënderuese pacienti e prezanton veten si «njeri të teatrit» dhe fjalive të tij ua shton nga një vepër muzikore. «Lajmi se zemra ime duhet t’i nënshtrohet një operacioni të madh, ishte tronditës, truri im ndihej si uvertura e ‹Zogut të zjarrtë› të Igor Stravinskit». Pritjen mes diagnozës dhe konsultimit të parë pacienti e përjeton si dimrin te «Katër stinët» e Antonio Vivaldit. Dhe kështu me radhë, deri pas operacionit, kur i kthehet jetës normale. Një operacion zemre si lojë baleti? Si në lojën në skenë edhe në ndërhyrjen me vegla mjekësore në sallën e operacionit, çdo lëvizje është e rëndësishme. Por ka një dallim: mjeshtri i baletit mund të gabojë në skenë dhe të shkaktojë të qeshura në publik. Po gaboi kirurgu i zemrës, askush nuk qesh. Mund të thuhet se profesioni i dytë i Omer Xhemalit është: dhurues buzëqeshjesh jo vetëm për paciente e pacientë, por edhe për rrethin e tyre familjar.
Rrëfimi për gjyshen
Në njërën nga bisedat e shumta, e pyeta Omer Xhemalin nëse ka qenë nxënës shembullor. Ekziston një mit sipas të cilit mjekët që nga dita e parë në shkollë janë nxënës shembullor. Ai u përgjigj: «Çka domethënë nxënës shembullor? Me nota po, me këto të tjerat…». Omer Xhemali tregon se momenti kur vendosi të bëhej mjek ishte kur sapo kishte mbushur 9 vjet. «Më vdiq gjyshja nga zemra dhe ishte e dhimbshme të shohësh familjen e cila e kishte të pamundur t’i ndihmonte». Pyetja e radhës: si kirurg i zemrës ju punoni në vijën ndarëse mes jetës dhe vdekjes. Si jeni ndier kur para vetes keni pasur një zemër që duhej ta operonit? «Kisha frikë në mos gaboj, kisha dyshime a do t’i bëj të gjithë hapat e duhur. Ka qenë operacioni i parë që e kam kryer si përgjegjës i vetëm. Në vitin 2003». E si është sot puna me frikën? «S’kam frikë. Çfarë u them asistentëve të mi është kjo: s’ka vend për frikë në kirurgjinë e zemrës. Por duhet të ketë vend për shumë respekt». Si ndiheni pas operacionit të suksesshëm? «I gëzuar, i lumtur dhe me plot motivim për operacionin e ardhshëm». Në rast se pacienti vdes… «I pikëlluar, i thelluar në mendime – dhe prapë i vendosur të trajtojë pacientin e radhës».
Në Shkup, në Tetovë
Çdo rreth një ditë mbyllet. Pasi u punësua në Zürich, Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Shkupit e luti Omer Xhemalin të mbajë një ligjëratë në kryeqytetin maqedonas. E pranoi ftesën dhe ligjëratën e nisi me këto fjalë: «Gëzohem që kam rastin të mbaj një ligjëratë në Universitetin ku nuk më pranuan për arsye politike». Disa nga të pranishmit ulën kokën. Më 2014 u emërua në Shkup profesor ekstraordinar, më 2015 Universiteti Shtetëror i Tetovës e nderoi me titullin «Doctor honoris causa» dhe më 2016 po ky institucion i dijes e emëroi profesor të rregullt universitar. Çdo rreth një ditë mbyllet: karriera e Omer Xhemalit është edhe një shembull se historia nuk është statike, ajo ndryshon kur njerëzit duan ta ndryshojnë. Nga mesi i viteve ‘90 në Tetovë forcat maqedonase vranë njerëz vetëm pse kërkonin arsimim universitar. Në vitin 2022 shqiptarët në Maqedoni kanë tri universitete. Dhe ai gjimnazisti që para mbi tri dekadave nuk u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, në fund të këtij viti do të marrë drejtimin e Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë në Zürich. Ky emërim është, po ashtu, një sinjal i radhës i evolucionit të pandalshëm dhe pozitiv të diasporës shqiptare në Zvicër. C’est la vie!