Shqipëri

Nisen avionët me vaksina kineze nga Turqia për në Shqipëri

Avionët me vaksina nisen drejt aeroportit “Nënë Tereza”. I pranishëm është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Rama shkruan në Facebook se “janë siguruar 1 milion vaksina të tjera”.

“Kontraktuam për momentin gjysëm milionë doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë”.

Të mërkurën e 24 marsit, kryeministri Rama ka udhëtuar drejt Turqisë, për të arritur marrëveshjen për një sasi vaksinash kineze, me një distributor turk.

“Në Stamboll për më shumë vaksina. O ia dalim o ia dalim, s’ka tjetër dhe po s’ia dolëm ne, askush tjetër nuk ka si ia del dot!”, shkruante Rama në Twitter.

Me aprovimin e vaksinës kineze, pritet të rritet numri i të vaksinuarve në vend. Shqipëria e ka nisur procesin e vaksinimit ndër të parat në rajon. Deri tani janë vaksinuar 53 mijë e 992 persona. Ndër ta, mjekët e kanë përfunduar marrjen e të dy dozave.

Blerja e vaksinave është bërë me dije që nuk është bërë në mënyrë të drejtëpërdrejtë me Republikën Popullore të Kinës.

Blerja do të realizohet nëpërmjet distributorit turk “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”. Në aktin normativ sqarohet se kjo kompani turke është distributor i autorizuar nga firma kineze Sinovac.

Aktualisht, Shqipëria ka në përdorim tre lloje vaksinash, të cilat janë: Pfizer, AstraZeneca dhe Sputnik V.