Lajme

Ngrihet aktakuzë kundër ish-ministres Dhurata Hoxha

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave me inicialet Dh.H., F.M., D.Sh., K.C., N.O, për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se bëhet fjalë për ish-ministren e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, dhe katër të pandehur të tjerë: Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani.

Hoxha, e cila vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë ministre në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Disa nga emrat e të pandehurve përmenden në një hulumtim të rrjetit BIRN në Kosovë, ku thuhet se “në vitin 2019, Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i ka paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se ‘modifikimi i territorit’ mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi”.

Kjo ide, në të kaluarën, është promovuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të ndodhë gjatë fazës së demarkacionit të kufirit me Serbinë.

Sipas Thaçit, korrigjimi do të përfshinte tri komunat me popullatë shqiptare në jug të Serbisë – Preshevën, Medvegjën e Bujanocin – në kuadër të Kosovës./radioevropalire