FutbollSporti

“Nga ferri në parajsë”, Gabigol përmbys Riverin dhe i jep trofeun Flamengos

Një vit më parë iu bashkua Flamengos në formë huazimi për një sezon nga Interi i Milanos dhe pas një sezoni spektakolar në kampionat, sulmuesi brazilian Gabriel Barbosa “gdhendi me gërma të arta” emrin e tij edhe në finalen e Kupës së Libertadores.

Festë braziliane në Lima te Perusë, aty ku River Plate ishte shumë pranë një triumfi madhështor, pasi kryesonte me rezultatin 0-1 prej minutash të tëra, por në të 89-ën dhe 92-tën, Gabigol mposhti dy herë skuadrën argjentinasi dhe përmbysi rezultatin.

Finalja e madhe e kompeticionit më të rëndësishëm në Amerikën Latine, ishte në plan për t’u luajtur në Santiago të Kilit, por për shkak të protestave, u zhvendos në impiantin e Limës në Peru, aty ku atmosfera e krijuar nga tifozëritë e të dy skuadrave, ishte spektakolare.

Sfida nisi më mirë për River Plate, që në minutën e 14 gjeti golin e avantazhit me anë të sulmuesit Borre dhe pavarësisht reagimit të brazilianëve, arriti të ruajë avantazhin deri në minutën e 89’ të takimit, kur Gabigol mori në dorë fatin e finales së madhe.

Sulmuesi shfrytëzoi mjaft mirë pasiguritë në mbrojtje të argjentinasve, për të shënuar dy herë brenda tre minutave dhe për t’i dhënë trofeun Flamengos, ndonëse pas golave u ndëshkua edhe me karton të kuq, ashtu si edhe Palacios për River Plate.

Flamengo shkurorëzon kështu River Plate, në finalen e 60 të Kupës së Livertadores, trofe të cilin e fiton për herë të dytë në histori, pas 1981-shit të largët, ndërsa argjentinasit dështojnë të ngrenë për herë të katërt këtë kupë.