Nexhmije Pagarusha feston sot 86-vjetorin e lindjes
Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha feston sot 86-vjetorin e lindjes.
Këngëtarja njihet si Bilbili i Këngës Shqipe, por shpesh është cilësuar edhe si Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor.
Veprimtaria e saj 50 vjeçare përfshin një numër të madh këngësh të cilat mbetën të pavdekshme, ndërsa ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga Rifat Kukaj.
Në Kosovë, Nexhmije Pagarusha është shpallur si ‘Këngëtarja e Shekullit” kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”.
Me medalje mirënjohjeje, ajo është dekoruar edhe nga presidenti amerikan Donald Trump në 85-vjetorin e lindjes.
E lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, ajo ndër vite ka treguar se është artistja më e kompletuar që populli shqiptar ka pasur ndonjëherë.