Shqipëri

Përplasja te zona e Astirit, Paloka: Rama do të mbajë përgjegjësi

Përplasja e Policisë me banorët e zonës së Astirit përfundoi me shoqërimin e disa qytetarëve, ndërsa mes tyre ndodhet edhe ish-deputeti i PD-së.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka nga komisariati nr.6 tha se banorët kanë dalë në rrugë nga frika se po iu prishen shtëpitë.
Gjithashtu ai kishte edhe një mesazh të qartë për kryeministrin Edi Rama, ku i kujtoi se do të mbajë përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve.

“Çdo mungesë në ndjeshmërie njerëzore po e çon vendin drejt një përplasje, që të jem i sinqertë nuk e di se ku do na çojë. Pasojat po i vuajnë qytetarë. Protestuesit e Unazës së re kanë dalë në rrugë dhe kanë menduar në një moment se siç ka bërë te Bregu i Lumit me prishjen e shtëpive, janë ngritur dhe kanë dalë në rrugë për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Rama vijon të ngulë këmbë dhe të marrë milionat e korrupsionit dhe nuk ndalet as ndaj dhunës së banorëve.

Ata kanë dalë dhe janë përballur me realitetin e dhunës, ndërsa një polici që as e shqiptarëve nuk mund të jetë, kanë sulmuar qytetarët dhe i kanë përplasur banorët në automjetin e policisë në kundërshtim me ligjin. Rama të jetë i bindur se sa më shumë të shtojë dhunën, aq më e madhe do të jetë revolta e qytetarëve.”, tha ai.