Kryesore

Nesër zgjedhjet për KKSH

Të dielen, më 13 nëntor,(nesër) zhvillohen zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Pak më shumë se 36.200 qytetarë shqiptarë të regjistruar në listën e veçantë zgjedhore do të zgjedhin përbërjen e re 15 anëtarëshe të KKSH-së, shkruan FOLonline.

Zgjedhjet organizohen në 55 vendvotime në komunat e Luginës, prej të cilave: në Bujanoc në 26, në Preshevë në 23 dhe në Medvegjë në 6 vendvotime.

Për KKSH-në mund të votohet edhe në brendi të Serbisë nga ata qytetarë shqiptarë të cilët figurojnë në regjistrin e posaçëm zgjedhor.

Qytetarët mund të votojnë nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në ora 20:00 në mbrëmje.

Trupi elektoral shqiptarë mund të përcaktohet midis pesë listave zgjedhore, të cilat Komisioni Republikan Zgjedhor i ka renditur në bazë të çertifikimit:

  1. Partia Demokratike-Agim Haliti
  2. Partia për Veprim Demokratik-Ragmi Mustafi
  3. Lëvizja e Progresit Demokratik-Nevzad Lutfiu
  4. Alternativa për Ndryshim-Levent Qazimi
  5. Partia Demokratike Shqiptare-Enver Memeti

Për të qeverisur me KKSH-në duhen të paktën votat e 8 anëtarëve nga gjithsjet 15 sa numëron Kuvendi i këtij institucioni i cili më pas zgjedh kryetarin dhe organet tjera.

Këshilli Kombëtar Shqiptar është funksionalizuar pas organizimit të zgjedhjeve, për herë të parë në vitin 2010.

Përveç shqiptarëve, nesër votojnë edhe bashkësitë tjera etnike në Serbi për të zgjedhur këshillat e tyre kombëtare.