ShqipëriTë fundit

Nesër pritet të regjistrohet ‘Bindja Demokratike’, kryetar Patozi, do garojë në 30 qershor

Nesër do të regjistrohet në gjykatë dhe më pas në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (që është afati i fundit) për vendoret e 30 qershorit, partia e re ‘Bindja Demokratike’ me kryetar Astrit Patozin.

Lajmi konfirmohet për Report Tv nga Fabian Topollaj, anëtar aktual i këshillit bashkiak të Tiranës dhe i njohur si kritik i fortë i Lulzim Bashës. “Bindja Demokratike’ do marrë pjesë në zgjedhje. Unë do të jem anëtar i ‘Bindjes Demokratike’. Po përgatisim dokumentacionin, nesër e dorëzojmë në gjykatën” tha ai.

Fillimisht u lakua emri i Rudina Hajdarit si kryetare e partisë, por vajza e Azem Hajdarit, aktualisht kryetare e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë e mohoi. Burime për Report Tv pohuan se Astrit Patozi, ish-n/kryetar i PD-së në kohën e Berishës do të drejtojë partinë ‘Bindja Demokratike’.

Patozi i njohur për divergjencat e forta me kryetarin aktual të PD-së, pritet që të mbledhë në subjektin e ri ‘gardën’ e vjetër që u largua nga Lulzim Basha para zgjedhjeve të qershorit të 2017, por edhe të zhgënjyerit nga lidershipi i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.

Report Tv mëson themeluesit e partisë së re ‘Bindja Demokratike’ që pasditen e sotme po zhvillojnë mbledhjen e fundit para dorëzimit të kërkesës në gjykatë me 3 mijë firma do të jenë; Endira Bushati, Leonard Olli, Fabian Topollaj, Ardian Kollozi dhe të tjerë. Kjo është partia e parë që krijohet nga përçarja e demokratëve nga drejtimi i Lulzim Bashës