Të fundit

Nesër nis gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Luginë

Nga e hëna, më 19 janar 2026, fillon zyrtarisht gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2025/2026 në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në territorin e Serbisë, përfshirë edhe institucionet arsimore në Luginën e Preshevës.


Lajmërimi për fillimin e mësimit është publikuar nga disa shkolla, ndër to edhe Shkolla Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, e cila ka njoftuar nxënësit dhe mësimdhënësit për rikthimin në banka, duke u uruar shëndet, fillim të mbarë dhe sukses në vazhdimin e vitit shkollor.

Megjithatë, në prag të nisjes së gjysmëvjetorit të dytë, mbetet e paqartë mënyra e organizimit të orës mësimore, konkretisht nëse mësimi do të zhvillohet me orë prej 30 apo 40 minutash, çështje kjo që aktualisht po diskutohet në nivel qendror.

Së fundmi, Ministri i Arsimit në Serbi, Dejan Vuk Stankoviq, ka deklaruar se po shqyrtohet shkurtimi i kohëzgjatjes së orës mësimore nga 45 në 30 minuta, si pjesë e një koncepti të ri për reformimin e sistemit arsimor. Sipas tij, kjo nismë lidhet me ndryshimin e mënyrës së përqendrimit të nxënësve, të cilën ai e përshkruan si “vëmendje difuze”, më e shkurtër dhe më e fragmentuar krahasuar me gjeneratat e mëparshme.

Ministri ka theksuar se për një proces mësimor efikas, nxënësi duhet të jetë i përfshirë aktivisht në mësim, ndërsa modeli tradicional – ku mësuesi ishte bartës i vetëm i informacionit – sipas tij, nuk i përgjigjet më realitetit bashkëkohor. Në këtë kuadër, ai ka paralajmëruar edhe kufizimin e përdorimit të telefonave celularë në shkolla, si dhe integrimin më të gjerë të inteligjencës artificiale dhe teknologjive dixhitale në procesin mësimor.

Deri në miratimin e vendimeve zyrtare dhe udhëzimeve konkrete nga institucionet kompetente, shkollat pritet të vazhdojnë mësimin sipas rregullave aktuale, ndërsa prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit mbeten në pritje të sqarimeve lidhur me kohëzgjatjen e orëve dhe organizimin e mësimit në gjysmëvjetorin e dytë.

Fillimi i këtij gjysmëvjetori shoqërohet kështu me pritshmëri dhe dilema për ndryshime të mundshme në sistemin arsimor, të cilat pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në përditshmërinë shkollore në të gjithë Serbinë.