KryesoreOpinione

Nëntë muaj të humbur me thashetheme për «korrigjime të kufirit», tallje me Luginën e Preshevës, shpëlarje truri – dhe një debakël shqiptar në Berlin

Samiti në Berlin qortoi Hashim Thaçin dhe Edi Ramën për arsye se u bënë pjesë e një aventure politike, duke i shkaktuar dëm Kosovës dhe Shqipërisë. Dështimi i tyre i tanipërtanishëm duhet të jetë mësim për shoqëritë shqiptare.

Mund të merret me mend si ndihen qytetarët e Luginës së Preshevës pas Samitit të djeshëm në Berlin, i cili përjashtoi ndryshimin e kufijve në Ballkan. Së paku tani për tani. Që nga gushti i vitit të kaluar presidenti i Kosovës rregullisht ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë do të parashohë bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Thirreshin në presidencë në Prishtinë politikanë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, nxirreshin para kamerave e mikrofonave dhe duhej të rrinin pothuaj gatitu ndërsa presidenti fliste për të ardhmen e ndritur të kësaj treve në kuadër të shtetit të Kosovës.

Për portalet e Kosovës kryetari i Preshevës thoshte se ose bashkohet e tërë Lugina me Kosovën, ose nuk do të ketë bashkim. I njëjti në një gazetë gjermane së fundi u ankua se debati për ndryshimin e kufijve po i largon investitorët nga Presheva. «Një shkëmbim i territoreve do të ishte hapje e Kutisë së Pandorës. Ky debat duhet të marrë fund, sepse po na bën dëm ekonomik dhe politik, por edhe po e zbeh prestigjin e BE-së», tha kryetari i Preshevës. A po kupton ndokush diçka këtu? Për mediat e Kosovës këlthet: bashkim me Kosovën, në mediat gjermane bërtet: aman, jepni fund këtij debati. Qe nëntë muaj edhe presidenti i Kosovës po tallet me banorët e Luginës së Preshevës dhe për këtë qëllim është përpjekur t’i instrumentalizojë politikanët e atjeshëm.

Në nëntë muajt e fundit ka pasur përpjekje të pareshtura nga presidenti i Kosovës, nga kryeministri i Shqipërisë, nga përkrahësit e tyre nga qymezi paramediatik, nga lobistët e paguar nga Serbia që ndryshimi i kufijve të Kosovës të shitet si punë e kryer. Kush kritikonte këtë aventurë, bëhej pre e shpatës që vringëllonte kryeministri i Shqipërisë, i cili mendon(te) se po i ndihmon(te) Kosovës duke u futur thellë e më thellë në batakun e përgatitur nga kryetarët e Kosovës dhe Serbisë. Samiti në Berlin – në fakt – i qortoi Hashim Thaçin dhe Edi Ramën për arsye se u bënë pjesë e një aventure politike, duke i shkaktuar dëm Kosovës dhe Shqipërisë. Dështimi i tyre i tanipërtanishëm duhet të jetë mësim për shoqëritë shqiptare, që të mos u falet besimi, as mos të tolerohen politikanët që pa kurrfarë transparence demokratike struken nëpër kafehane të qyteteve të Europës për të folur për jo më pak se ndryshimin e kufijve. Për Edi Ramën Berlini ishte një shuplakë ndoshta kthjelltësuese për të kuptuar se ndaj Kosovës nuk mund të bëjë politikë me «kosovarë privatë».

Për Hashim Thaçin dita e djeshme duket të ketë qenë e ankthshme, sepse në vend të duartrokitjeve që i priste në Berlin për ndryshimin e kufijve të Kosovës hasi në kundërshtim të ashpër të krejt establishmentit të atjeshëm politik. Andaj presidenti i Kosovës gjatë gjithë ditës së djeshme brohoriti nëpër Berlin me nervozë: pa Amerikën nuk ka zgjidhje të ngatërresës mes Serbisë dhe Kosovës, Europa është e dobët. Në të vërtetë mesazhi i padishahut kosovar ishte ky: pa John Boltonin nuk ka zgjidhje! Dihet se Bolton favorizon prishjen e Kosovës së 17 shkurtit. Ky do të ishte një triumf i tij pasi më 2008 e ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Takimi i delegacionit kosovar me ambasadorin e Donald Trumpit në Berlin ishte një mesazh shpërfillës ndaj mikpritësve gjermanë. Ambasadori aktual amerikan në Berlin – një militant i Trumpit pa përvojë politike – është ndër diplomatët më të vetmuar në kryeqytetin gjerman, sidomos politikanët e rangut të lartë nuk e takojnë fare. Madje për shkak të ndërhyrjeve të tij pa takt në politikën e brendshme gjermane, nënkryetari i parlamentit gjerman Wolfgang Kubicki ka kërkuar dëbimin e tij nga Gjermania.

Nuk është e saktë se europianët e veçanërisht gjermanët janë kundër rolit të Amerikës në Ballkan, por planin e lobistëve të kryetarit serb dhe partnerit të tij kosovar për rrudhjen e territorit të Kosovës gjermanët e hedhin poshtë për shkak se kanë frikë se do të marrë hov sidomos nacionalizmi serb dhe do të shtohen tensionet në Ballkan. Pasojat e tensioneve i vuan pastaj Gjermania, në radhë të parë. Megjithatë, rrëfimi për ndryshimin e kufijve duket se nuk ka marrë fund në Berlin. Aleksandar Vuçiqi ishte i sinqertë. Tha: nëse ka propozim më të mirë se lëvizja e kufijve, jam i gatshëm ta dëgjoj. Por, vazhdoi ai, propozim më të mirë deri më tani nuk kam dëgjuar. Përse të tërhiqet Vuçiq, kur i është premtuar se mund të marrë një copë të territorit të Kosovës?

Në darkën me dyer të mbyllura në Berlin presidenti francez Emmanuel Macron u ka thënë liderëve të Ballkanit se nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve sipas vijave etnike dhe se duhet të ruhet multietniciteti i Ballkanit Perëndimor. «Ky është një mesazh i mirë», shkroi në Twitter, Gerald Knaus, nga Nisma Europiane për Stabilitet (ESI), ndër të paktit aktivistë ndërkombëtarë me ndikim që lobistët e presidentit serb dhe partnerit të tij kosovar nuk arritën t’ia ndërrojnë mendjen për të përkrahur rrudhjen e territorit të Kosovës.

Por e vërteta është kjo: në 12 muajt e fundit Macron më shumë ka qenë në anën e tyxharëve të tokave në Ballkan. Mbetet për t’u parë nëse Macron do t’i qëndrojë besnik kancelares Merkel apo do të kthehet prapë në kampin «land swap». Përkrahësit e ndarjes do të presin dobësimin dhe largimin e Merkelit nga posti më 2021. Dy vite kalojnë disi – për shembull mund të arrestohet edhe njëherë me marrëveshje Marko Gjuriqi, nga stacioni i trenit në Beograd mund të niset një tren i ri me parulla në drejtim të Mitrovicës, mund të vritet ndonjë Oliver Ivanoviq tjetër i serbëve të Kosovës… Popullistët ballkanikë janë kreativë, sepse shumë, shumë, shumë miliona janë paguar për ta bërë temë globale ndarjen e Kosovës.

Por bllokimi i planeve për ndarjen e Kosovës nuk domethënë se tani gjërat janë më pak të komplikuara. Kosova do të gjendet para zgjedhjes: e do murtajën apo kolerën? Nëse bie poshtë «korrigjimi i kufijve», do të shtohen kërkesat që bashkësia e komunave serbe të ketë kompetenca ekzekutive. Ky është qorrsokaku në të cilin klasa politike e Prishtinës e ka futur vendin. Dhe për këtë nuk mund të mbështetet për muri vetëm një fajtor.