Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi mes shoqatave nga Lugina e Preshevës në Zvicër
Rreth njëzetë organizata marrin nismën për krijimin e Bashkimit të Shoqatave të Luginës së Preshevës në Zvicër
Në datë 29 maj 2021, rreth njëzetë shoqata të Luginës së Preshevës me aktivitet në Zvicër, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi duke u angazhuar të krijojnë Bashkimin e Shoqatave të Luginës së Preshevës në Zvicër.
Duke qënë se Zvicra është vendi me më shumë mërgimtarë nga Lugina e Preshevës, kjo nismë ka si qëllim rritjen e nivelit të bashkëpunimit e bashkërendimit të veprimtarisë së shoqatave të Luginës së Preshevës në Zvicër në mënyrë që të kenë një përfaqësim të njëzëshëm dhe koordinim të punës e përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë Ilir Gjoni i cili e vlerësoi dhe përshëndeti shpalljen e kësaj nisme si dhe nënvizoi mbështetjen pa rezerva nga ana e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Të pranishmit i përshëndeti dhe sekretari i tretë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, z.Gjenis Haxhimehmeti.