Nënshkruhen protokolet për kufi të përbashkët Preshevë – Tabanoc, ja kur fillon zbatimi
Përfaqësuesit e Serbisë dhe Maqedonisë Veriore kanë nënshkruar pesë protokolle në Shkup në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për kontroll të përbashkët të udhëtarëve dhe trafikut të mallrave në vendkalimin Preshevë-Tabanoc, njofton Administrata Doganore e Serbisë.
Zbatimi i Marrëveshjes duhet të fillojë në më pak se një javë.
Në kuadër të kësaj marrëveshje, u nënshkrua një Protokoll, i cili përcakton se kontrolli i daljes së pasagjerëve dhe mjeteve të transportit nga Serbia që shkojnë për në Maqedoninë Veriore do të zbatohet nga shërbimet kufitare të Serbisë në territorin e Maqedonisë Veriore në vendkalimin kufitar Tabanoc.
Për ata që udhëtojnë nga Maqedonia Veriore për në Serbi, kontrolli i daljes së shërbimeve kufitare maqedonase do të kryhet në territorin e Serbisë, në vendkalimin kufitar të Preshevës.
Gjithashtu u nënshkrua një protokoll midis ministrive të brendshme të dy vendeve për mënyrën e kryerjes së kontrolleve kufitare.