Nën masa të rrepta mbrojtëse, sezoni i dasmave në Kosovë pritet të nis më 1 korrik
Sezoni i dasmave dhe ahengjeve familjare në Kosovës pritet të nis më 1 korrik, nën masa të rrepta mbrojtëse ndaj përhapjes së Covid-19.
Para hyrjes së sallave të restoranteve pritet që të vendoset një tunel dezinfektues.
Kështu ka thënë për lajmi.net kryetari i Shoqatës së Hotelierëve të Kosovës, Visar Demolli.
Demolli po ashtu ka thënë se i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse dhe se tani janë duke pritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për nisjen e sezonit.
“Po krejt i kemi të parapara të gjitha masat me shkrim. Sot prita për takim me zyrtar të qeverisë, por meqë ke Kuvendi është shtyrë. Realisht po besojë të hënën do t’i finalizojmë. E kemi dërguar si ide duke filluar nga tunelet dezinfektues, siç janë tek spitali, por vetëm ne i kemi pak më modern. Po ashtu do ta bëjmë dezinfektimin e sallave, pasatja dorëzat, kontrolli i mallrave që do të hyjnë në restorant, që të kenë certifikatat e higjienës. I kemi paraparë të gjitha këto masa, 90 për qind e restoranteve na i kanë paranuar këto kërkesa, se nuk është së është ndonjë kosto e madhe, një restoranti diku 1 mijë e 400 euro mund t’i kushtojë. Kështu që ne si shoqatë e Hotelierëve kemi me marr masat më të rrepta dhe me rigorozë. Për sallat e dasmave është duke u bërë një far neglizhence”, ka thënë ai.
Demolli tutje ka treguar për lajmi.net se po presin që qeveria të dal me një vendim deri më 15 qershor.
“Ne kemi paraparë nga 1 korriku që të fillojmë, por ne kërkesën e kemi që deri me 15 qershor me dal me vendim qeveria, për shkak se e kemi lyp 15 ditshin që të kemi mundësi që të përgatiten restorantet, t’i kemi tunelet dezinfektues dhe të fillojmë më përgatitjet. Ne po presim tash të hënë maksimumi është fjala që të dalin me vendim”, ka thënë ai.
Theksojmë se sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në vendin tonë deri më tani janë 1 mijë e 437 të infektuar me koronavirus, ku 32 prej tyre kanë vdekur dhe 928 janë shëruar. /Reporteri.net/