“Ne nuk kemi frikë”, studentët iu rikthehen protestave madhështore
Lëvizja për Universitetin paralajmëron rikthimin e protestave madhështore, sërish në muajin dhjetor.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Lëvizja për Universitetin bën të ditur se protestat do të rifillojnë në katër dhjetor.
“Ata që na kanë kritikuar pse jemi radikalë dhe plot guxim, kanë frikë. Kanë frikë sepse themelet mbi të cilat e kanë ndërtuar jetën komforte dhe privilegjet e vogla, janë të kalbura dhe janë të ndërtuara mbi shfrytëzim dhe hajdutëri.
E ne që nuk patëm frikë në luftën 6-vjeçare për arsim publik, ne që nuk patëm frikë nga kërcënimi dhe presioni dhjetorin e kaluar, do i kemi gjithmonë vatrat e ngrohta për këdo që e tejkalon frikën. Kemi vend për këdo që do e tejkalojë individin brenda vetes vetëm për pak, që në fund të përqafojë shoqërinë.”-thuhet ndër të tjera në një postim në rrjetet sociale.
Postimi i plotë:
Shkruan Enriko Peçuli, aktivist i Lëvizjes Për Universitetin:
Ne jemi të vetëdijshëm se në luftën për drejtësi sociale, jetë të dinjitetshme, arsim publik falas dhe cilësor, nuk jemi vetëm. Ne e dimë gjithashtu se kollarexhinjtë e televizionit dhe intelektualët boshë nuk janë me ne. Nuk janë me ne të gjithë ata që kanë frikë për aspiratat dhe perspektivat e tyre të vogla e individuale.
Ata që na kanë kritikuar pse jemi radikalë dhe plot guxim, kanë frikë. Kanë frikë sepse themelet mbi të cilat e kanë ndërtuar jetën komforte dhe privilegjet e vogla, janë të kalbura dhe janë të ndërtuara mbi shfrytëzim dhe hajdutëri.
E ne që nuk patëm frikë në luftën 6-vjeçare për arsim publik, ne që nuk patëm frikë nga kërcënimi dhe presioni dhjetorin e kaluar, do i kemi gjithmonë vatrat e ngrohta për këdo që e tejkalon frikën. Kemi vend për këdo që do e tejkalojë individin brenda vetes vetëm për pak, që në fund të përqafojë shoqërinë.
Në 4 dhjetor, të palodhur edhe plot jetë, në protestë!