Maqedoni

Xhaferi firmosi Ligjin për gjuhët, Ligji shkon në Gazetën zyrtare

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka nënshkruar Ligjin për Gjuhët dhe i njëjti është publikuar në gazetën Zyrtare të Maqedonisë.

Ligji për Gjuhët u miratua më 11 janar të vitit të kaluar në situatë të tensionuar mes deputetëve. Pas votimit në lexim të dytë me 69 vota për, presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanovi, nuk e dekretoi me arsyetimin se i ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se është sjellë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

Sipas procedurës, Ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Ndërkaq, në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë, pas kalimit në lexim të tretë, nënshkrimi nga ana e Presidentit nuk është i nevojshëm.

“Është një fitore për të gjithë – për popullin shqiptar, Maqedoninë euroatlantike, stabilitetin rajonal. Urime të gjithëve”, tha Xhaferi