Lajme

Në Kosovë, për 4 muaj, rreth 200 mijë qytetarë aplikuan për vizë gjermane

Që në fillim të këtij muaji është rihapur mundësia për qytetarët e Kosovës për të aplikuar për kuotat e reja për viza të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Ambasada e shtetit gjerman në Kosovë e bën çdo fillim muaji, teksa rëndom aplikojnë rreth 50 mijë qytetarë që synojnë largimin nga vendi.

Për shkak se në Kosovë, ende nuk është bërë liberalizimi i vizave, aplikantët që kërkojnë të pajisen me vizë i nënshtrohen një procedure të komplikuar të cilën e kërkojnë ambasadat e huaja.

Megjithatë, kjo burokraci nuk po ia zbeh dëshirën rinisë së Kosovës për t’u larguar nga vendi. Vetëm në katër muajt e fundit, 11% e popullatës së Kosovës ka kërkuar të shkojë në Gjermani.

Që nga fillimi i dhjetorit e deri në fund të marsit, ambasada e këtij shteti në Prishtinë ka pranuar 199 mijë e 783 kërkesa për viza.

Vetëm brenda marsit, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka pranuar 48 mijë e 44 kërkesa për viza. Të dhënat nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë thonë se nga shtetet e rajonit, vetëm Bosnjë dhe Hercegovina ka më shumë kërkesa se Kosova për viza afatgjatë.