Lajme

Në Kosovë mbërrin një donacion mjekësor nga Holanda

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, ka njoftuar se në Kosovë ka mbërritur një donacion humanitar mjekësor nga Holanda.

Sipas një postimi në Facebook, ai ka njoftuar se ky donacion do t’i dorëzohet nesër Klinikës Infektive.

“Për t’i zbutur sadopak nevojat urgjente të institucioneve shëndetësore në Kosovë, në përballje me pandeminë COVID-19, Ambasada e Kosovës në Holandë ka organizuar nisjen e një donacioni me materiale mjekësore, me destinim QKUK-në në Prishtinë. Donacioni, pas shumë pengesave gjatë rrugës, ka mbërritur në Kosovë, dhe nesër do t’i dorëzohet Klinikës Infektive në Prishtinë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, donacioni përmban aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermiere, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse dhe kateterë.

“Me këtë rast, dëshiroj t’i falënderoj miqtë e Kosovës në Holandë, nga Ambulance voor Kosovo, për donacionin dhe kompaninë Mitrofresh për ndihmën për magazinimin e tyre. Një falënderim i veçantë shkon edhe për ekipin e Ambasadës së Kosovës në Hagë, për përkushtimin e tyre, si dhe për institucionet e Kosovës për kompletimin e shpejtë të dokumentacionit dhe dhënien e lejes për hyrjen e kontingjentit humanitar”, ka shkruar ai.

Ai ka njoftuar se diplomatët e ambasadës së Kosovës në Holandë janë duke qëndruar të izoluar për shkak të gjendjes atje.

“Të gjithë atyre që janë prekur nga kjo sëmundje dhe atyre që qëndrojnë të izoluar, dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, u dëshirojmë tejkalim sa më të shpejtë dhe të lehtë të kësaj pandemie, e cila ka prekur rëndë edhe Holandën, ku edhe ne si diplomatë të Kosovës qëndrojmë të izoluar, por edhe aktivë njëkohësisht, për t’iu dalë në ndihmë komunitetit tonë këtu. Kosova nuk është e vetmuar dhe, së bashku me miqtë e saj, do ta tejkalojë edhe këtë sfidë”, thuhet në njoftim.