Bota

Në Finlandë, java e punës pritet të ketë 4 ditë e orari i punës të jetë 6-orësh

Kryeministrja e re e Finlandës, Sanna Marin, ka propozuar një orar më fleksibil të orarit javor të punës, duke paraparë javën me vetëm 4 ditë dhe ditën me 6 orë pune.

Marin, 34 vjeçe, ka ngjallur vëmendjen ndërkombëtare, pasi u bë kryeministrja më e re e një vendi që drejton një koalicion me pesë parti, krejtësisht i drejtuar nga gratë, raporton “neweurope”.

Koalicioni i saj ka kërkuar një periudhë testuese për orarin e ri të punës, me rastin e 120 vjetorit të Partisë Social Demokrate (SDP) në Turku.

“Besoj se njerëzit meritojnë të kalojnë më shumë kohë me familjet e tyre, me më të dashurit e tyre, të merren me hobi e me aspekte tjera të jetës, siç është kultura. Ky mund të jetë hapi i radhës për ne në jetën e punës”, tha Marin, transmeton Koha.net.

Vendi nordik ka zbatuar mostra të zhdërvjellëta të orarit të punës për dekada me radhë që kur vendi miratoi Paktin e Orëve të Punës më 1996, i cili u jep shumicës së të punësuarve të drejtën për të përshtatur orarin e tyre të punës duke e nisur punën tri orë para ose duke e përfunduar atë tri orë pas orarit të rregullt.

Në Suedinë fqinje, ku puna me 6 orë në ditë ka nisur të aplikohet që nga viti 2015, rezultatet kanë treguar se punëtorët ishin më të lumtur, më të pasur dhe më produktivë, pasi që paguhen sërish me pagë të njëjtë sikurse me orarin 8 orësh, e po ashtu edhe konsumatorët ishin më të kënaqur.