Në Bujanoc, përtej dallimeve politike bashkohen pozitë dhe opozitë për të luftuar COVID-19
Përplasjet në politikën shqiptare, veçanërisht në atë kosovare, nuk janë ndaluar as edhe në kohën e pandemisë. Po zhvillohet një luftë e ashpër për pushtet duke shpenzuar tërë energjinë mes veti në vend se e gjithë kjo energji të përqëndrohej në “luftën” kundër koronavirusit, për tejkalimin e kësaj sfide me të cilën po përballet e gjithë Bota.
Edhe në Luginë të Preshevës ka polarizim të skajshëm të politikës shqiptare por në këtë situatë të vështirë që po përballet vendi, duket se janë tejkaluar këto përplasje. Palët kanë parë të arsyeshme të ulen për të bashkuar forcat, me qëllim e vetëm tejkalimin e kësaj sfide të vështirë për të gjithë, raporton Ministria e Lajmeve.
Kreu i PVD-së, njëherit Kryetar i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka pritur sot në takim njërin nga liderët e opozitës, Kryetarin e APN-së, Arbër Pajazitin.
Z.Kamberi përmes një postimi në llogarinë e tij në FB theksoi se beteja kundër koronavirusit është përtej dallimeve dhe bindjeve politike.
“Në takim përveç solidaritetit me situatën e krijuar u dakorduam që qytetarët janë shumë më shumë se sa votues dhe që jetërat e tyre janë shumë më shumë se sa bindje politike.”- shkroi Kamberi.
Ai poashtu shfrytëzoi rastin për një lutje drejtuar qytetarëve duke i porositur që të rrespektojnë rregullat, të shtojnë kujdesin dhe të ulin panikun, transmeton Ministria e Lajmeve.
Ndërkaq kreu i APN-së, z.Pajaziti, poashtu përmes një publikimi në Fb njoftoi për takimin në fjalë duke shprehur gatishmërinë e tij për bashkëveprim për të tejkaluar sa më lehtë e me më pak pasoja këtë pandemi.
“ Diskutuam për gjendjen në komunën tonë si pasojë e virusit Covid -19.
Është koha që pa asnjë dallim politik ta dëshmojmë unitetin tonë.
Më tepër se kurrë kemi nevojë për njëri-tjetrin.” shkroi Pajaziti , transmeton Ministria e Lajmeve