LajmeTë fundit

Ndizen gjakrat, Pacolli shpall person “non-grata” ministrin e jashtëm të Serbisë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka vendosur të shpallë person non-grata homologun e tij serb Ivica Daçiçin, i cili mohoi masakrën e Reçakut, ku u vranë 30 gra, fëmijë e pleq në janarin e vitit 1999.

Pacolli ka thënë se për sa kohë fashistët si Daçiçi nuk dënohen, nuk do të ketë as pajtim Kosovë-Serbi.
Pacolli ka shkruar në Facebook se është i papranueshëm mohimi i Masakrës së Reçakut nga Daçiçi, të cilin e ka quajtur zëdhënës të Millosheviçit.

“I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Reçak nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar”, ka shkruar Pacolli.

Në vijim ai thotë se Serbia ka kryer krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Europë që nga nazistët e Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve.

Ai shton se arsyeja pse Daçiç mohon krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare ka dështuar sjelljen para drejtësisë të atyre që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë.

“Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse drejtësia vazhdon ta fsheh gjithë ato krime nën qilim. Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer”, ka shkruar Pacolli.

Ndërkaq lidhur me deklaratat e Daçiçit dhe zyrtarëve tjerë serbë të cilët mohojnë krimet e luftës, Pacolli ka marrë vendimin që të shpallen persona të padëshiruar.

“Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, shkruan Pacolli.

Në një intervistë me “Vesti Rusia”, Daçiçi ka thënë se Ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO’s kundër forcave serbe në Kosovë.

“Serbët ishin të lumtur kur Donald Trump fitoi zgjedhjet. Serbët e urrejnë familjen e Clintonit. Kur filluan bombardimet, Clinton, Madeleine Albright dhe Tony Blair arsyetuan në mënyrë të gabuar fillimin e krimeve dhe agresionit të forcave serbe, të cilat nuk janë të vërtetuar në gjykatën ndërkombëtare në Hagë. Ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejt i bombardimeve. Ata hipokritisht e quajtën këtë veprim ‘Engjëlli i Mëshirës’”, u shpreh Daçiç./Shqip