Lajme

Ndërmarrjet publike ndalojnë 2-euroshin, 66 mijë euro false në tre muaj

Me monedhat metalike prej 2 eurove qytetarët nuk mund të paguajnë faturat e ujësjellësit.

Kompania rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka disa ditë që ka ndaluar marrjen e kësaj monedhe nëpër të gjitha arkat që ka në Prishtinë.

Vendimi ka ardhur pasi bankat ia kanë refuzuar një shumë parash kësaj ndërmarrjeje, për arsye se ato ishin false.

“Kemi konsumatorë që shpeshherë që 100 apo 200 euro i paguan me monedhat metalike prej 2 eurove. Kështu që e kemi ndaluar dhe tani po presim të shohim se çfarë do të ndodhë…Kemi pasur rast kur arkëtari ka shkuar t’i dorëzojë paratë në bankë dhe i kanë dalë false dhe ai është detyruar që nga xhepi i vet të paguajë atë shumë të monedhave false, sepse nuk e kemi ditur sepse nuk kemi pasur aparat verifikues të monedhave”, tha Arjeta Mjeku, zëdhënëse e ujësjellësit.

Një gjë e tillë, sipas saj, do të vazhdojë derisa ata të pajisen me aparate për identifikimin e monedhave të falsifikuara.

“Në të gjitha pikat e shitjes e kemi ndaluar tash për tash marrjen e monedhave prej 2 eurove, sepse kemi dëgjuar kohëve të fundit se po qarkullojnë monedhat prej 2 eurove të falsifikuara. Kjo gjendje do të mbetet kështu derisa të shohim mundësinë e blerjes së aparateve për identifikimin e monedhave të falsifikuara, sidomos metalike”.

Kjo nuk është ndërmarrja e vetme e Prishtinës që ballafaqohet me këtë problem.

“Prishtina Parking” është një tjetër ndërmarrje publike e cila tashmë ka ndaluar marrjen e monedhave metalike prej 2 eurove, pasi kanë pasur raste të shumta kur banka nuk ua ka pranuar pagesat për shkak se ato kanë qenë të falsifikuara.

Kryeshefi i saj, Sokol Havolli, thotë se po të vazhdonin kështu dëmi do të shkonte deri në 40 mijë euro në vit.

“ E para, ka të bëjë me dëmin financiar që i shkaktohet ndërmarrjes, e cila, po të vazhdohej, do të mund të shkonte deri në 30-40 mijë euro në vit. Prandaj, detyrë e imja është mbrojtja e financave të ndërmarrjes. E dyta, NPL ‘Prishtina Parking’, pas pranimit të qarkullimit ditor nga pikat e shitjes, e bën dorëzimin e tyre në bankat në të cilat kemi llogari. Meqenëse zyrtarët tanë e bëjnë dorëzimin e mjeteve në banka, atëherë banka është ballafaquar me këto monedha të falsifikuara. Si rezultat, konform procedurave, banka ka njoftuar policinë. Por, në këto raste, policia ka intervistuar zyrtarët tanë”, tha Havolli. 

Sipas Havollit, përderisa janë në pritje të donacionit për t’u pajisur me 4 aparate, atyre iu nevojiten edhe 6 të tjera që të mbulohen plotësisht me pajisje që detektojnë monedhat e falsifikuara.

“Trafiku Urban” është njëra nga kompanitë e tjera të Prishtinës e cila gjatë gjithë kohës mbledh para të gatshme.

Ata kanë refuzuar të komentojnë rreth kësaj teme.

Por, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave të Kosovës, vetëm gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2022, në sistemin bankar janë dorëzuar mijëra euro të falsifikuara.

Drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate, Petrit Balija, tregon se vetëm gjatë kësaj periudhe janë identifikuar dhe hequr nga tregu rreth 60 mijë euro, kartëmonedha dhe monedha metalike, e që një numër më i madh i tyre është në Prishtinë.

“Statistikat e fundit i kemi në shtator të 2022-s dhe shihet se kartëmonedha e 500 eurove është një prej kartëmonedhave që është falsifikuar më së shumti apo që qarkullon me vlerën më të madhe prej 17 mijë e 500 eurosh gjithsej në 3-mujorin e tretë në vitin 2022. Pastaj përcillet me kartëmonedhën prej 100 eurosh, të cilën e kemi pasur 16 mijë e 600 euro të identifikuara si të falsifikuara dhe të dorëzuara te sistemi bankar në Kosovë. Pastaj janë 200 dhe 50 euro dhe të tjerat janë më pak. Në kartëmonedha apo bankënota janë 54 mijë e 30 euro”, tha Balija.

Gjatë periudhës korrik, gusht, shtator 2022, janë identifikuar 2200 monedha në vlerë prej 2 eurosh.

“Duke pasur parasysh që ka popullatë më të madhe, ka degë bankare më shumë, ka qarkullim më të madh, edhe përqindja e rasteve është më e madhe në Prishtinë. Nuk është vetëm te vlerat e mëdha të parave, është edhe te monedhat metalike ku 2 eurot janë më të shpeshta të falsifikuara. Sipas statistikave kemi pasur 2200 monedha në vlerë prej 2 eurove apo 4400 euro, të cilat janë dorëzuar në sistemin bankar dhe janë identifikuar si të falsifikuara”, shtoi Balija. 

Për shkak se paraja e falsifikuar është një komponentë që e destabilizon ekonominë e vendit, Balija sugjeron që të gjitha kompanitë të përdorin sa më shumë sistemin për pagesën me kartela digjitale.