Lajme

Mustafa: Votat për Qeverinë Hoti janë të sigurta, së shpejti emrat e ministrave

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e ka të përfunduar listën e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për KOHA-n.

Mustafa ka treguar se LDK do të udhëheqë me shtatë ministri si dhe do ta ketë një zëvendëskryeministër.

Më tutje Mustafa është shprehur i bindur se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti do ta marrë miratimin e deputetëve brenda dy-tre ditësh.

“Ne jemi të bindur që votat janë për qeverinë. Janë mbi 61 vota që janë të sigurta. Nuk kemi diskutuar për asnjë emër konkretisht dhe zyrtarisht. Nuk mund t`i diskutojmë zyrtarisht emrat nëse nuk ulemi në kryesi”, ka thënë Mustafa përmes telefonit.

“Ne tani për tani mund të kemi 7 ministri por më vonë nëse merremi vesh me AKR për pozita të veçanta, mund të ketë ndryshime ndërkaq sa i përket zvëvendëskryeministrave ne do të kemi një zëvendëskryeministër dhe do të kenë edhe partitë e tjera”, ka bërë të ditur ai.

Më tutje Mustafa ka thënë se marrëveshja me Listën Serbe nuk dallon shumë me atë me partitë shqiptare derisa ka shtuar se e njëjta do të bëhet publike, por që për një gjë të tillë do të merret edhe konfirmimi i Listës serbe.