Mustafa: Serbia po bën diskriminim të maskuar ndaj shqiptarëve të Preshevës
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, ka folur në Interaktiv për problemin e qytetarëve që kanë ardhur në Kosovë nga Lugina e Preshevës por kanë mbetur pa shtetësi.
Një numër i madh i shqiptarëve janë zhvendosur në Kosovë. Disa në Fushë-Kosovë e disa në Gjilan, megjithatë, kujtojmë se ata kanë probleme me nxjerrjen e dokumenteve në Kosovë.
“Pasivizimi është i lidhur me qytetarët, kryesisht me ata që janë dëbuar në 99-tën. Atë kohë s’kanë mundur të regjistrohen në Kosovë si refugjatë. Tash janë pashtetësi dhe pa shumë të drejta themelore. Kohëve të fundit ka marrë përmasa edhe në kuptimin e atyre që jetojnë në diasporë, por një pjesë e madhe ballafaqohen edhe me problemin e regjistrimit të fëmijëve. Është problem zinxhiror ndaj shqiptarëve të Preshevës që ne e quajmë diskriminim të maskuar administrativisht nga Serbia ndaj shqiptarëve të Preshevës”, tha Mustafa.
Ai ka kujtuar se regjistrimi i popullsisë në Luginë do të bëhet në korrik të vitit 2021, derisa ka shprehur besimin se do të ketë regjistrime të shqiptarëve.
Mustafa jep detaje për procesin gjyqësor ndaj Vulinit
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, ka dhënë detaje për procesin gjyqësor ndaj ministrit serb Aleksandër Vulin për përdorimin e termit “shiptari”.
“Në qershor të 2019-s kam ngritur padi ndaj Vulinit për përdorim të gjuhës së urrejtjes sepse përdori termin ‘shiptari’ ndaj shqiptarëve. Kam pas paralajmëruar se do të ngre padi nëse e përsërit dhe më pas vazhdoi duke thënë se e ka për kompliment. S’guxon të institucionalizohet gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Padrejtësia është padrejtësi. Ka një numër të madh mediash që përdorin këtë fjalë për të përçmuar shqiptarët, por është e patolerueshme që një ministër që ishte i Mbrojtjes e tash i Punëve të Brendhsme të përdorë këtë gjuhë”, ka thënë ai. “Në dy seancat e përcaktuara për ballafaqim mes meje dhe atij ai nuk ka guxuar të marrë pjesë. Ka bërë arsyetime të cilat janë të pajustifikueshme”.
Duke folur për padinë e ngritur ndaj tij për ngritjen e flamurit më 28 nëntor, Mustafa ka thënë se akuzohet për “përdorim të paligjshëm dhe përçmim të himnit e flamurit të Serbisë”.
Mustafa: Ndaj shqiptarëve në Medvegjë po bëhet spastrim i heshtur etnik me pasivizim të adresave
Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar në Serbi, ka thënë se përmes pasivizimit të adresave ndaj shqiptarëve në Serbi po bëhet spastrim i heshtur etnik.
Duke folur për një raport që ka nxjerrë ky këshill, Mustafa ka shpjeguar se ndaj shqiptarëve shteti serb ka një qasje selektive dhe së fundmi ka intensifikuar pasivizimin e padrejtë të adresave.
“Ky raport vlerëson kontradiktat ligjore dhe mënyrën antikushtetuese e anticivilizuese të pasivizimit të adresave. Koncentrohet vetëm mbi bazën e asaj që shqiptarët janë komunitet që nuk i takojnë komunitetit serb dhe si të tillë për shkak të konstilacionit etnik konsiderojmë se është në mënyrë masovike dhe qasje selektive që po u bëhet qytetarëve të Luginës. Ky raport ka për qëllim të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar. S’është problem i sotëm. Ka filluar më 2011, por së fundmi ka pasur intensifikim më të madh se që ishte parë në të kaluarën. Kundërthëniet ligjore janë me Kushtetutën dhe të drejtat e garantuara me kushtetutën e Serbisë. Theksohet se është e ndaluar çfarëdo ndryshimi i strukturës së popullsisë etnike ku ajo pakicë jeton tradicionalisht dhe krahas saj ndryshimi i strukturës etnike është i ndaluar. Neni 18 i Ligjit mbi vendbanimet për adresat e përhershme dhe përkohshme që aplikohet gjatë pasivizimit të adresave nuk aplikohet në tërësi. Duhet të përcaktohet adresa e përkohshme ku qytetari jeton dhe kjo nënkupton se shqiptarët humbin të drejtën e tyre qytetare, të garantuara ligjore, e trajtimit të barabartë të qytetarit, dhe konsiderohen si të huaj”, ka thënë ai sa i përket azhurnimit që u bëhen adresave në shtetin serb.
Sipas tij, organizatat ndërkombëtare kanë vlerësuar se qasja e pasivizimit të adresave bëhet me përqendrim të madh në zonat ku janë shqiptarët.
“Në Medvegjë kemi konsideruar se konstatuar se është spastrim i heshtur etnik, i mbuluar me procedura administrative ku qytetarëve s’u jepet e drejta e atakimit të vendimit”, ka thënë ai në Interaktiv.
Legjislacioni në fuqi i Serbisë përcakton vendbanimin si hapësirë për të gëzuar të drejtat elementare. Si rezultat një person mund të lindë në Serbi, të marrë shtetësinë e të kalojë gjithë jetën në këtë territor, por nëse s’ka një adresë të regjistruar, mbetet pa qasje në shumicën e institucioneve. Këtyre njerëzve u pamundësohet të nxjerrin dokumente, të largohen nga shteti apo të gëzojnë të drejtat tjera elementare. S’mund të pajisen as me dokumente, nëse s’kanë adresë. Ky është parakushti që qytetarët shqiptarë në Luginë të Preshevës nuk po mund ta arrijnë.