MUSTAFA: SERBIA NUK I DO SHQIPTARËT SI PJESË TË SAJ, BASHKIMI ME KOSOVËN – I PASHMANGSHËM
Në nëntor të vitit të kaluar Ragmi Mustafa është zgjedhur kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Si kandidat i Partisë për Veprim Demokratik ai, ka mposhtur të gjithë kandidatët tjerë shqiptarë.
Këshilli është një institucion i themeluar në vitin 2010 për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të simboleve kombëtare dhe përdorimit te shkrimit e gjuhës shqipe. Por, Mustafa thotë se gjendja e shqiptarëve në Serbi shkon gjithmonë drejt përkeqësimit. Kjo, sipas tij, ka sjellë në rikthimin e përcaktimit të shprehur në referendumin e 1992 – bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
KDP: Negociatat Prishtinë-Beograd duket se po futen në fazën finale. Deri në mars ka gjasa të arrihet një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë, por e cila thuhet se nënkupton ndryshim kufijsh me ç’rast Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitej Kosovës si kompensim për tri komunat kosovare në veri, të cilat do të kalonin nën juridiksionin serb. Si i shihni ju si përfaqësues i shqiptarëve të Luginës? A keni përshtypjen se bisedohet për fatin tuaj pa mos i pyet shqiptarët e këtij rajoni se çfarë në fakt duan?
Ragmi Mustafa: Ky është një proces historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nga formimi i partive të para shqiptare në Luginë në 1992, në mars të po këtij viti ata kanë organizuar një referendum për të parë se për çfarë janë shqiptarët e këtij rajoni. Pyetja e vetme ka qenë “A jeni për një autonomi territoriale-politike me të drejtë bashkimi me Kosovën”? Atij referendumi shqiptarët i janë përgjigjur pozitivisht, me ç’rast mbi 96% prej tyre kanë përkrahur idenë e bashkimit me Kosovën. Ky referendum ka qenë një lloj përcaktuesi i vizionit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
KDP: Kanë kaluar 17 vite nga ai referendum. Mendoni se ende është i vlefshëm përcaktimi në atë referendum?
Ragmi Mustafa: Besoj se po. Edhe sot nuk ka asnjë parti politike shqiptare që ka një përcaktim jashtë atij vizioni. Pas këtij referendumi ka vazhduar rezistenca paqësore shqiptare ndaj sistemit represiv të Sllobodan Millosheviqit. Në vitin 2000 filloi edhe lufta e armatosur e shqiptarëve me atë sistem, e cila mbaroi me Marrëveshjen e Konçulit – një dokument ky që solli paqen në Preshevë dhe Medvegjë. Në atë kohë u miratua edhe i ashtuquajturi “Plani i Çoviqit”, i cili kishte katër objektiva: e para – ndalja e luftës dhe kthimi i forcave të rendit dhe ligjit në zonat që kontrollonin shqiptarët; e dyta – vendosja e paqes; e treta – integrimi i shqiptarëve në sistemin publik e institucional të Serbisë dhe e katërta – zhvillimi i përshpejtuar ekonomik i këtij rajoni. Por, nga ky plan u miratuan vetëm dy pikat e para, ndërsa dy të fundit janë plotësuar vetëm pjesërisht. Andaj, në vitin 2006 janë mbledhur përfaqësuesit politik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të mbledhur në kuadër të Kuvendit të Luginës si organ joformal, dhe kanë miratuar një Platformë Politike, edhe atë një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në atë Platformë kërkohen të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës, por ka një klauzolë ku thuhet se në rast se nuk respektohen ato të drejta atëherë shqiptarët do t’i kthehen referendumit të vitit 1992. Më pas, në vitin 2013 shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë hartuar një Plan 7-pikësh për ndërmarrjen e masave për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve, të cilin e ka miratuar edhe Qeveria e Serbisë si dokument për të negociuar me përfaqësuesit politik e institucional të shqiptarëve. Por, tani më 5 vite nga miratimi i atij Plani nuk kemi asnjë lëvizje në drejtim të zbatimit. Aq më tepër, në regjistrimin e vitit 2011 u mohua numri i vërtetë i shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke rezultuar se në Serbi ka diku 5 mijë shqiptarë, ndërsa në Luginë – 1100.
KDP: Ku qëndron problemi i këtyre numrave të regjistrimit?
Ragmi Mustafa: Problemi qëndron se shqiptarët e kanë bojkotuar atë proces për shkak të formatit të formularit që ka qenë. Realisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka rreth 100 mijë shqiptarë. Ky numër pastaj ka reflektuar në zvogëlimin e këshillave nacionalë, të buxhetit etj.
KDP: A ka tani unifikim të faktorit politik shqiptar të Luginës për bashkim me Kosovën?
Ragmi Mustafa: Në korrik të vitit 2018 sërish u mblodh Kuvendi i Luginës ku është aprovuar Deklarata Politike, me të cilën kanë kërkuar që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e negociatave në Bruksel. Këtë kërkesë shqiptarët e Luginës ua kanë dorëzuar edhe institucioneve të Republikës së Kosovës, me ç’rast pozitivisht i është përgjigjur vetëm Presidenti i shtetit, z.Hashim Thaçi. Ai na ka premtuar atëherë se këtë Deklaratë do ta nxjerrë në tavolinën e negociatave me Serbinë, gjë që ka qenë një lajm që është pritur me entuziazëm edhe te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ka qenë një shpresë se më në fund do të vijë një zgjidhje e cila do t’i mënjanonte të gjitha diskriminimet e shqiptarëve të këtij rajoni. Janë pra këto ambicie legjitime të shqiptarëve. Unë mendoj se Lugina duhet të zgjidhet në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit pasi në këtë formë do të normalizoheshin marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve midis dy shteteve kalon nëpërmjet Luginës së Preshevës. Çfarëdo marrëveshje që nuk do të prekë shqiptarët e Luginës nuk do të arrijë qëllimin.
KDP: Përderisa presidenti Thaçi u ka dhënë mbështetje, një pjesë e spektrit politik e institucional në Kosovë e kundërshton këtë ide.
Ragmi Mustafa: Unë nuk dua të futem në luftën e brendshme politike në Kosovë. Mendimi im është se ajo pjesë e politikës kosovare që janë të përmbajtur më shumë kanë refuzim ndaj presidentit si oponent politik, sesa ndaj idesë së bashkimit të Luginës me Kosovën. Kemi pasur konsultime me të gjitha grupet parlamentare në Kosovo dhe ato kanë qenë të gatshme ta mbështesin këtë ide, por se kanë dilema për atë se kush e propozon këtë. Për ne si përfaqësues të shqiptarëve të Luginës kjo është e parëndësishme sepse jemi thellë të bindur se çështja jonë duhet të zgjidhet me dialogun përfundimtar Prishtinë-Beograd.
KDP: Si do të reagonin serbët lokalë të Luginës së Preshevës ndaj një bashkëngjitje të këtij rajoni me Kosovën? Çfarë mendojnë ata për këtë ide?
Ragmi Mustafa: Janë të vetëdijshëm se në këtë proces nuk kanë fuqi të ndikojnë pasi nuk varet nga ato. Deri më tani shqiptarët nuk kanë pasur probleme me serbët lokalë, por kanë pasur problem me sistemin që në vazhdimësi ka qenë represiv. Ky sistem i vendos shqiptarët në qytetarë të rendit të dytë, si jolojalë ndaj shtetit, edhe pse shteti asnjëherë nuk ka treguar vullnet për t’i integruar. Nga 250 deputetë të Parlamentit të Serbisë vetëm një ka qenë shqiptarë, asnjë parti nuk ka qenë pjesë e qeverisë…Unë mendoj se nuk mund të kemi standarde të dyfishta në trajtimin e pakicave. Nuk mund në Kosovë pakica serbe të ketë gati të drejta të barabarta me shqiptarët, kurse në Serbi pakica shqiptare të jetë e diskriminuar skajshmërisht nga sistemi serb. Këto standarde të dyfishta nuk çojnë kah paqësimi.
KDP: Do të thotë se refuzimi i Serbisë për të parë shqiptarët si qytetarë të barabartë ka sjellë këtë qëndrim të njësuar të shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën?
Ragmi Mustafa: Natyrisht se po. Deri më tash kemi kërkuar të drejta, reciprocitet me serbet por kjo nuk ka ndodhur në asnjë sferë apo për asnjë çështje me rëndësi jetike për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Është një periudhë e gjatë që ne kemi kërkuar integrimin si qytetarë të barababartë dhe mendoj se kjo periudhë është e mjaftueshme për të bindur faktorin ndërkombëtar se Serbia nuk i do shqiptarët si pjesë të saj.
KDP: Si reagon Beogradi ndaj kërkesave tuaja për bashkim me Kosovën?
Ragmi Mustafa: Më parë janë linçuar të gjithë ata politikanë shqiptarë që kanë kërkuar këtë. Ka edhe sot reagime, por nuk janë të një ashpërsie apo vëllimi siç kanë qenë më parë. Narativi që tash mbisundon në opinionin publik të Serbisë është se nuk do ta njohin asnjëherë Kosovën pa mos e marrë veriun. Pra, duhet ta kemi parasysh se dialogu në Bruksel nuk është i thjeshtë por shumë i komplikuar. Paqja midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të arrihet pa i trajtuar të gjitha temat e hapura.
KDP: Si do të përcaktohet vija kufitare në rast të një marrëveshjeje që parasheh shkëmbim territoresh? Nëse veriu i Kosovës de facto është i ndarë me vija të qarta etnike, si do të përcaktohet këtu në Luginën e Preshevës? Cila pjesë do t’i takonte Kosovës e cila do të ngelte në Serbi? Çfarë do të ndodhë me shqiptarët andej autostradës që do të ngelnin në Serbi, apo edhe me serbet e kësaj ane që do të kalonte në Kosovë? A mund kjo të gjenerojë konflikte të reja?
Ragmi Mustafa: Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë thënë qartë – e tërë Lugina t’i bashkëngjitet Kosovës.
KDP: Që nënkupton?
Ragmi Mustafa: Nënkupton komunat në vija kadastrale që përbëjnë Luginën e Preshevës. Korrigjimi nuk besoj se do të shkojë mbi bazën e vijave etnike sepse edhe ashtu në Kosovë do të mbeteshin shumë serbë edhe pa veriun. Kjo njëkohësisht do të ndodhte edhe në Luginë. Fondacioni “Shoqëri e Hapur” ka bërë një analizë lidhur me pasojat ekonomike për Serbinë në rast të shkëputjes së kësaj pjese, me çrast është marrë një pjesë e Preshevës dhe disa male. Kjo është e papranueshme për ne. Për ne është e rëndësishme që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet si temë në dialogun e Brukselit.
KDP: A ka diskonim në Kosovë që në dialogun me Serbinë të hapet edhe tema e Luginës së Preshevës?
Ragmi Mustafa: Kemi pasur takime me grupet parlamentare, me partitë parlamentare në Kosovë dhe kemi marrë mbështetjen e tyre. Më i zëshmi në këtë drejti ka qenë presidenti i shtetit z.Hashim Thaçi, gjë që ka ndodhur për herë të parë që një zyrtar i nivelit më të lartë të mbështesë kërkesat tona dhe është zotuar se do të jenë pjesë e dialogut. Kjo ngjall entuziazëm te shqiptarët këtu se do të kemi një zgjidhje përfundimtare edhe të çështjes së Luginës së Preshevës. Se cilat do të jenë rezultatet përfundimtare – këtë duhet të presim e ta shohim. Për ne është e rëndësishme edhe tërësia e Luginës së Preshevës, pa ndarje e nënndarje të reja. Do të trajtohen edhe tema të pronës private dhe lehtësime të kalimit kufitar për banorë nga të dyja anët e kufijve të ri eventual, gjë do të mënjanonte të gjitha dilemat.
KDP: Kemi shtete brenda BE-së, midis të cilave edhe Gjermania, të cilat nuk parapëlqejnë zgjidhje territoriale të problemit midis Serbisë dhe Kosovës. Ato druajnë se kjo do të ishte një pikënisje që të njëjtën gjë ta kërkojnë serbët etnikë në Bosnje e Hercegovinë apo edhe shqiptarët etnikë në Maqedoni.
Ragmi Mustafa: Natyrisht se është një proces kompleks dhe i ndjeshëm. Por, përherë në Ballkan abnormaliteti sjell normalitet dhe e kundërta. Duke marrë parasysh se Maqedonia tani më është në fund të procesit të integrimit në NATO, pasi u zgjidh çështja e emrit. Maqedonia do të përshpejtojë edhe integrimin në BE, aty ku synon i tërë Ballkani, dhe sigurisht se edhe Serbia dhe Kosova duhet mbyllin çështjet e hapura si parakusht për atë integrim. Pa marrë parasysh frikën që mund të kenë vende të caktuara të BE-së, mendoj se më e rëndësishme është që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë në një marrëveshje që do të ishte e pranueshme për to. Nëse kjo zgjidhje, qoftë edhe me korrigjim kufijsh, arrihet me vullnetin e dy shteteve, atëherë unë nuk besoj se do të hapte dilema tjera në Ballkan.