Lajme

Mustafa: Rugova e mbante në xhep kristalin e Trepçës për t’ia dhënë presidentit amerikan

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, në akademinë përkujtimore në 13-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka folur për marrëdhëniet me SHBA-në, duke përmendur edhe dhuratën që Rugova atëherë mbante në xhep që t’ia dhuronte ish-presidentit amerikan.

Mustafa ka folur për Rugovën, duke e quajtur atë prijësin më të urtë dhe më konsistent që ka pasur skena politike, duke kujtuar dhe vitin 2006 kur ish-presidenti ndërroi jetë.

“13 vite më parë Kosova në mënyrë madhështore ia dha lamtumirën e fundit presidentit të vet, për ta pohuar edhe një herë besimin në prijësin Ibrahim Rugova në njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur skena politike dhe institucionale e vendit. Në janarin e ftohtë të vitit 2006 presidenti na la kur na duhej shumë për ta kurorëzuar procesin historik të pavarësisë së Kosovës, por nuk na la vetëm, mbetëm me veprën e tij të madhe dhe themelin e shtetit të pavarur, me filozofinë e tij të humanizmit, të paqes dhe tolerancës. Gjatë 2 javë ditëve të zisë qytetarët treguan nderimin dhe dashurinë e pashembullt për prijësin e madh të tyre, presidentin Rugova, duke u përshëndetur me të për herë të fundit”, deklaroi Mustafa.

Kreu i LDK-së tha se me Rugovën lidhet një epokë, ndërkaq, ka përmendur edhe krijimtarinë e tij letrare e çmimet që kishte marrë në këtë fushë.

“Presidenti Rugova ishte prijësi me të cilin lidhet një epokë, epoka e pavarësisë”, shtoi ai.

Mustafa ka folur edhe për jetën e veprimtarinë e ish-presidentit, transmeton Express.

“Rugova dhe bashkëpunëtoret e tij punuan për pavarësinë e Kosovës, që më vonë do t’i bashkohej mbarë populli i Kosovës. Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor në prijës politik nacional”.

Mustafa foli për kohën kur Rugova u zgjodh president, duke përmendur edhe sukseset e atëhershme në zgjedhje.