Mustafa: LDK-ja e gatshme të sigurojë shumicën për qeverisje
Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur i gatshëm që partia e tij të sigurojë shumicën për të formuar qeverinë e re.
Në takim me presidentin Hashim Thaçi, ai ka thënë se vendit i duhet “qeveri që ka mandat nga Kuvendi i Kosovës dhe e cila mund të qeverisë vendin në mënyrë normale”.
“Vlerësojmë se qeveria në detyrë që vazhdon punën nuk i përgjigjet në tërësi kërkesave që shtrohen para saj për arsye se Kuvendi ka shprehur mosbesim ndaj kësaj qeverie. Vendit i duhet qeveri me kapacitete e mandat të plotë e që funksionon mbi bazën kushtetuese. Në momentin e tanishëm me të cilin po ballafaqohet Kosova, është faktor shtesë që të nxjerrim një qeveri që siguron shumicën në Kuvend të Kosovës dhe këtë ta bëjmë sa më shpejtë. Si LDK jemi të gatshëm të ndërmarrim iniciativën , të sigurojmë shumicën si parti e dytë nëse neve na ofrohet kjo përgjegjësi dhe mendoj që këtë do ta bëjmë bashkërisht, por vlerësoj plotësisht deklarimet e çdo subjekti”, ka deklaruar ai.