Të fundit

Mustafa: Kurti t’i tërheqë deklaratat dhe t’i kërkojë falje publike SHBA’së

I pari i LDK’së Isa Mustafa thotë se Shtetet e Bashkuara të Amërikës nuk e meritojnë që për të të flitet me dyshim se po fsheh diçka për Kosovën. Thotë se Kosova duhet të vazhdojë që SHBA’në ta konsiderojë si partnerë të fortë dhe të vazhdueshëm.

“Të mos dyshojmë në asnjë rast për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse nuk e meritojnë. Një mik i Kosovës, një aleat i përkushtuar i Kosovës nuk meriton në asnjë rast që të flitet për të me dyshim se po fshehët diçka në SHBA për Kosovën”, tha Mustafa.

Ish-kryeministri thotë se qytetarët nuk janë kundër shtetit të udhëhequr nga Donald Trumpi por ka vetëm deklarata të papjekura të politikanëve dhe të zyrtarëve qeveritarë.

“Nuk shoh disponim antiamerikan në përmasa të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Shoh deklarata të papjekura të disa zyrtarëve edhe shtetëror edhe zytarëve politikë të cilat unë nuk mund të konsideroj se bazën e kanë në një antiamerikanizëm por janë të pamatura, janë të papjekura dhe janë të dëmshme për relacionet mes Kosovës dhe SHBA’së”, tha Mustafa në një intervistë për RTK’në.

Mustafa mendon se kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë falje dhe t’i tërheq deklaratat kundër SHBA’së që i bëri në Kuvendin e Kosovës në ditë kur qeveria e tij me 82 vota u shkarkua në Kuvend.

“I dëmshëm ka qenë deri më tani edhe qëndrimi i qeverisë dhe kryeministrit Kurti që nuk bashkëpunoi me SHBA’në për të mënjanuar tarifën pa kushte dhe poashtu nuk shkoi në procesin e dialogut në mënyrë që të jetë në tavolinë të dialogut dhe të mos krijohen pastaj dyshime të ndryshme se çfarë ka në tavolinë”, theksoi ai.

“Në Kuvendin e Kosovë me rastin e trajtimit të mocionit të mosbesimit thanë se ekziston një marrëveshje e fshehtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Washingotn dhe se tash vetëm pritet që të hapen shampanja në Washington dhe pritet gjak në Kosovë. Këto ishin deklarata totalisht të pamatura, të dëmshme dhe ishin deklarata të cilat krijojnë opinion shumë të keq në Kosovë. Unë mendoj se një deklaratë e tillë duhet të tërhiqet publikisht tani, duhet që kryeministri dhe të tjerët që kanë diskutuar edhe kanë shpërndarë konfuzion te qytetarët t’i kërkojnë falje në vend t parë SHBA’së”, tha Mustafa.

Kryetari i LDK’së ka kujtuar se LDK dhe ai po sulmohet vazhdimisht nga njerëz të nxitur nga qeveria.

“Po e angazhojnë një ushtri të njerëzve të tyre që ta sulmojnë LDK’në dhe mu personalisht. Por unë nuk lodhem për këtë punë sepse e kam të qartë interesin e Kosovës i cili nuk mund të pritet pa bashkëpunim dhe partneritet të fortë me SHBA dhe vendet e BE’së”, theksoi Mustafa