Mustafa: Ideja e shkëmbimit të territoreve nuk e ka pasur kurrë mbështetjen e SHBA-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa pret që administrata e presidentit të ri amerikan Joe Biden do të kërkojë që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të vazhdojë, si dhe të ketë një bashkëpunim të mirë ndërmjet SHBA-së dhe BE-së në përmbylljen e këtij procesi.
Ai në Debat të RTK-së e ka quajtur gabim të madh idenë për shkëmbim të kufijve si pjesë e zgjidhjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një gjë e tillë nuk e ka pasur asnjëherë mbështetjen e Uashingtonit zyrtar.
“Asnjëherë nuk kemi pasur këshilla nga askush nga SHBA, as nga administrata Trump, as nga Shtëpia e Bardhë që ne duhet ta mendojmë një dialog që do të përfundojë me ndryshim të kufijve. Këto janë gjëra që i kanë bërë njerëz të papërgjegjshëm. Shtëpia e Bardhë ka qenë e qartë se nuk mbështesin asnjë ndryshim të kufijve. Unë nuk e di kush çfarë argumentesh ka gjetur për të fajësuar SHBA se ata do të merren me prerjen e hartave të Kosovës. Mendoj se është një dëm i madh që i është shkaktuar Kosovës”, u shpreh Mustafa.