Mustafa: Dy milionët e Kosovës për Luginën janë djegur, parat nga Shqipëria mashtrim!
Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, shprehet kritik për buxhetin e ndarë nga Kosova duke thënë se 2 milionë euro kanë mbetur pa u shpenzuar nga viti i kaluar dhe për këtë arsyje fajtor është ekzekutivi vendor.
Kryetari i PDSH në një intervistë për KosovaPress, përcjell preshevacom, mashtrim e konsideron edhe ndarjen e mjeteve nga Shqipëria të cilat i konsideron të pamjaftueshme.
Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk janë zbatuar 2 milionë euro të ndara nga qeveria të ndara në vitin 2023.
“2 milionë euro nuk janë zbatuar në komunë Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në asnjë projekt. 2 milionë euro janë djegur, nuk janë zbatuar edhe pse kanë qenë në linjë buxhetore e ndarë nga buxheti i miratuar në dhjetor të vitit 2022. Kjo është përgjegjësi e Republikës së Kosovës, është përgjegjësi e plotë e tyre pasi ata janë përgjegjës për zbatimin” ka thënë Mustafa.
Këtë vit 2024, 3 milionë euro ka qenë të ndara, prej tyre 1 milionë janë shpërndarë nxënësve dhe studentëve, ndërsa prap 2 milionë kanë mbetur pa u realizuar, ka shtuar kryetari i PDSH-së, percjell preshevacom.
zv.kryetari Mustafa ka qenë kritik edhe ndaj qeverisë së Shqipërisë, që i konsideron mashtrim mjetet e ndara që fundmi.
“Në dy projekte Ministria e jashtme e Republikës së Shqipërisë në njërin i jep 15.000 euro në tjetrin 15.000 euro, po kjo është hajgare, kjo është sikur një bombon tia ndash fëmijëve në 1/3, sa i vogël është, po ndoshta edhe 30 fëmijëve tja ndash një bombon. Kjo nuk ka kuptim, kjo është mashtrim” ka thënë Mustafa.