Mustafa: Bojkotuam zgjedhjet, s’kemi zë në Parlamentin serb
Kryetari i PDSH-së në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, u shpreh se partia e tij nuk ka marrë pjesë në zgjedhje.
Sipas tij, Serbia nuk është treguar asnjëherë e gatshme për të dëgjuar zërin e shqiptarëve.
Ai tha se tanimë, kur marrëveshja Prishtinë-Beograd po afron, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të interesuar që të jenë pjesë e integrale e Republikës së Kosovës,
“PDSH që funksionon qysh nga viti ’90 në ish-Jugosllavi, nuk merr pjesë në këto zgjedhje, sepse nuk është treguar asnjëherë gatishmëri e Serbisë, që në 250 deputetë të dëgjohet një zë i shqiptarëve. Sot janë mbajtur zgjedhjet parlamentare me një grup të “unifikuar” të shqiptarëve, nga ku 3 parti në Bujanovc dhe Preshevë nuk arrinë të kenë më shumë se 5-6% të popullit”.
“Sot u vërtetua se nuk ka qenë synimi që të unifikohen për të nxjerrë popullin në votime, pasi nuk janë mbajtur tubime. Ne i bojkotojmë zgjedhjet sepse nga praktika e partive të tjera në zgjedhjet parlamentare nga viti 2017 e këtej, nuk është treguar ndonjë rezultat. Tanimë kur marrëveshja Prishtinë-Beograd po afron, shqiptarët e luginës së Preshevës janë të interesuar që të jenë pjesë e integrale e republikës së Kosovës, ose të rikthehen sepse pas Luftës së Dytë Botërore këto tri komuna janë shkëputur me pa të drejtë”.
Mustafa tha gjithashtu se pjesëmarrja e shqiptarëve në votime ishte shumë e ulët, rreth 5-6%, por pavarësisht kësaj, ai foli për amplifikim të votave në kutitë e votimit.
“Ne kemi montuar pjesëmarrjen në votime të shqiptarëve dhe ka qenë shumë e vogël, deri diku në 5-6%. Gjithsesi, në kutitë e votimit janë amplifikuar, duke dalë disa qindra herë më shumë vota. T’i vidhet qytetarit të lirë shqiptar vota kështu, kjo gjë ndodh vetëm në vendet afro-aziatike ose vendet e lindjet, dhe në Serbi. Po në Serbi situata nuk është më e mirë, pasi edhe opozita ka bojkotuar zgjedhjet dhe partia e Vuçiç ka dalë e vetme dhe komisionerët e tij ia kanë dalë t’i mbushin kutitë në mënyrë marramendëse”.
Mustafa shtoi se deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje për shqiptarët në parlamentin serb, pasi nuk kanë as të drejtën për të përdorur simbolet kombëtare.
“Ne kemi pasur deputet shqiptar dhe ka qenë për shumë vite, por nuk është arritur asnjë lëvizje për shqiptarët, pasi nuk e kanë akoma të drejtën për të përdorur simbolin kombëtar. Nëse kjo gjë nuk është arritur për 30 vite, ku është ideja që do të arrihet këtë mandat? Nëse duhet zgjedhje për Luginën e Preshevës, të bëhen për parlamentin e Shqipërisë, që të kenë deputetë në këtë parlament dhe atë të Kosovës. Ashtu sikurse kanë nisur serbët deputetë serbë nga territori i Kosovës në parlamentin e Serbisë. Nëse serbe u njihet kjo e drejtë, pse të mos u njihet shqiptarëve kjo e drejtës? Vetëm Serbia di të ngrejë zërin në Këshillin e Sigurimit? Këtë duhet të bëjë edhe qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës, në mënyrë që shqiptarët të thonë hallet e tyre aty ku dëgjon, jo në veshin e shurdhët të Beogradit”, tha Mustafa në një intervistë për Ora news.al.