Të fundit

Musliu: Obligimi që nxënësit shqiptarë ta ndëgjojnë himnin serb, shkelje e rëndë e politikave të Beogradit 

Postimi i plotë i kryetarit të LPD-së

Në ditën kur sot të gjithë nxënësit po fillojnë vitin e ri shkollor, shkollat shqipe në Luginë po përballen me një vendim fashist të Ministrisë së Arsimit të Serbisë, që po i obligojnë të gjithë nxënësit të dëgjojnë himnin serb në orën e parë të mësimit.

Ky vendim është një imponim dhe shkelje e rëndë e politikave zyrtare të Beogradit, për pakicat kombëtare dhe popujt joserb që jetojnë në brenda kufijve administrativ të Serbisë, dhe nëse kthehemi në kohë, janë po të njëjtat politika që ka përdorur Beogradi në vitet `90-ta, me presion të vazhdueshëm e sistematik e ndaj popullit shqiptar në veçanti.

Për ta vërtetuar këtë politikë dhe për ta bërë më të rëndë presionin dhe gjendjen, stacioni policor ka thirrur çdo drejtor të shkollave duke kërkuar shpjegime se a është intonuar himni kombëtar serb në çdo klasë me nxënës shqiptar.

Ky presion është i patolerueshëm. Diversiteti etnik duhet të respektohet nën frymën evropiane dhe jo nën frymën e standardeve të dyfishta si “Open Ballkan”, që sot po promovohet pikërisht në Beograd.

Nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë kontribuesve në sferën e arsimit i uroj këtë vit shkollor duke i uruar shumë suksese dhe duke inkurajuar që të mos ndalen ndaj presioneve të tilla, por të vazhdojnë betejën për një jetë më të mirë në këtë vend.