Murati: Vendimi i GJykatës Kushtetuese, në funksion të stabilitetit politik
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe ish-ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Valon Murati, ka thënë se vendimi i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e qeverisë, është në funksion të stabilitetit politik.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sot edhe në funksion të stabilitetit politik. Gjykata Kushtetuese me masën e përkohshme me të cilin pezulloi dekretin e Presidentit për krijimin e qeverisë së re, sipas mendimit tim, mori një vendim të duhur në planin juridiko-kushtetues, por edhe të pjekur në planin e stabilitetit politik dhe të legjitimitetit të institucioneve ekzekutive. Ky vendim mund të zgjasë krijimin e institucioneve të reja, por mund të ndikojë në qetësimin e gjakrave dhe vendosjen e procesit të mospajtimeve politike në rrugë krejtësisht institucionale. Nuk është se kam shpresë se qeveria e re e cila është në proces të krijimit do të sjellë diçka të re në jetën tonë politike, sidomos duke qenë se qëndrimet për dialogun me Serbinë i ka rigjide sikur të gjitha qeveritë paraprake, por kam bindjen e plotë se në planin kushtetues është krejtësisht legjitime”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai ka shkruar se duhet pritur vendimin e GJK-së.
“Të mësohemi t’i pranojmë ato vendime edhe kur na pëlqejnë e edhe kur nuk na pëlqejnë. E pastaj edhe protestat janë mjete të pranueshëm politike, përderisa mbesin paqësore dhe nuk synojnë krijimin e anarkisë, destablitetit e konflikte që mund të çojnë në përplasje civile. Protesta paqësore jo kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese por në funksion të objektivave legjitim politik. Ky është parakusht për funksionimin bazik të një shteti që bazohet në sundim të ligjit dhe ndarje të pushteteve”, ka thënë ai tutje.