Lajme

MPB-ja thotë se Thaçi shkeli protokollin me vizitën në Shqipëri

Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkelur protokollin shtetëror të martën duke shkuar në Shqipëri duke mos njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ka thënë se nëse del të jetë i vërtetë raportimi se me Thaçin në Kosovë ka hyrë edhe deputeti Behgjet Pacolli, policia do të ndërmarrë masat ndaj kreut të AKR-së.

Në një konferencë për media, Sveçla ka thënë se Thaçit i duhet të tregojë pse ka shkelur protokollin shtetëror, ndërsa ka kërkuar nga Pacolli që menjëherë të dëshmojë vendndodhjen.

“Nuk e ndihmon aspak shtetin asnjë veprim që vë në dyshim rendin dhe sidomos shëndetin publik. Dyshimet që kanë lindur me lëvizjet e z. Pacollit, pra nëse aktualisht personi në fjalë gjendet në Kosovë ka përligjur skenarët që po qarkullojnë kudo. Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e policisë kufitare që presidenti i Kosovës ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer pak pas orës 19:00. Kur eskorta e presidentit është ndalur, është konstatuar se në veturën e dytë është presidenti. Ai ishte ulur në ulësen e parë përkundër rregullave. Po ashtu policia për shkak të xhamave të zi s’ka mundur të vërejë nëse ka pasur persona të tjerë. Për sqarim, në bazë të ligjit për Protokillion shtetëror çdo lëvizje të presidentit jashtë kufijve duhet të komunikohet te MPJ. Kjo s’është njoftuar”, ka thënë Sveçla.

“Më lejoni të sqaroj se deri më tani s’kemi konfirmim se Thaçi ka qenë i shoqëruar nga Pacolli, por një skenar i tillë nëse del i vërtetë do minonte komplet Republikën dhe do të paraqiste mosrespektim të organeve të rendit. Është vepër penale”, ka shtuar ai.

Sveçla ka thënë se nëse Pacolli shfaqet në Kosovë, policia do të marrë masat e parapara me ligj.

“Nëse deputeti i Kosovës ishte në veturën e Presidentit me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë rregullën për karantinim. Ne i kërkojmë presidentit që të përgjigjet pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetërorë, ndërsa Pacollit i kërkojmë të shprehet menjëherë se ku është përndryshe nëse shfaqet në publik në një moment të caktuar bnrenda territorit, policia do të marrë masat e parapara me ligj”, ka deklaruar Sveçla.