Misioni i Rita Orës në Kosovë shpaloset me dokumentar
Prishtinë, 18 qershor – Historia e Antigonës, 19-vjeçares së cilës i ka vdekur babai kur ajo kishte qenë shumë e re e me pas nëna e saj u sëmur rëndë, është pjesë e dokumentarit të publikuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me këngëtaren Rita Ora.
Takimin me fëmijët dhe me familjet të cilat jetojnë në Kosovë, Ora e ka konsideruar si shumë të veçantë dhe një arsye më shumë për të vazhduar bashkëpunimin me UNICEF-in, të cilin ajo e ka mbështetur që nga viti 2013. Në Kosovë dokumentari s’mund të shihet i plotë, përderisa për të ajo ka folur në mediat britanike. Ajo ka treguar edhe për punën që bën Qefserja, e cila kujdeset për rreth 100 familje.
Ora e lindur në Prishtinë, bashkë me familjen, për shkak të situatës politike lanë Kosovën në vitin 1991 për t’u vendosur në Britani.
“Familja ime e ka lënë Kosovën për shkak të konfliktit dhe në kërkim të sigurisë dhe mundësive me të mira për të ardhmen. Sot është e mahnitshme ta shohësh Kosovën në paqe dhe fëmijët tani kanë një qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor dhe në edukim”, ka thënë këngëtarja për gazetën britanike “Daily Mail”, me të cilën ka biseduar edhe për dokumentarin.
Fshati i komunitetit rom, Dubravë në Komunën e Ferizajt e po ashtu edhe një lagje rome në Fushë-Kosovë, kishin qenë disa prej stacioneve të asaj vizite. Ishte ndalur edhe në kopshtin e fëmijëve “Shtëpia magjike” në fshatin Besi të Prishtinës.
Rita Ora tash shtatë vjet është Ambasadore Nderi e Kosovës.