Ministri i Maqedonisë Bujar Osmani s’bashku me homologun serb vizituan pikën kufitare Llojan – Miratoc
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani së bashku me homologun e tij nga Serbia, Nikolla Selakoiviq, në kuadër të aktiviteteve ditore realizuan vizitë në lokacionin ku është paraparë të hapet pika e përbashkët kufitare mes dy vendeve, Llojan- Miratoc.
Siç kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme, ky projekt i cili është i rëndësishëm për banorët e kësaj ane, do të lehtësojë lëvizjen, komunikimin dhe zhvillimin rajonal në të dy anët e kufirit.
Ky kalim kufitar do të shkurtojë udhëtimin e banorëve nga të dyja anët e kufirit të cilët edhe krahas afërsisë territoriale, aktualisht janë të detyruar të udhëtojnë dhjetëra kilometra deri tek pikat ekzistuese kufitare për të arritur tek të afërmit e tyre në anën tjetër të kufirit.
Marrëveshja për hapjen e kalimit kufitar Llojan – Miratoc është nënshkruar në dhjetor të vitit 2019, dhe tani në vijim e sipër janë harmonizimi i Protokollit për mënyrën e kryerjes së kontrolleve kufitare në kalimin e përbashkët kufitar, pas çka do të vijojnë aktivitetet e hapjes së kësaj pike kufitare.
Dy Ministrat shprehën gatishmërinë e tyre për angazhim intenziv të dy vendeve me qëllim të realizimit sa më të shpejtë të këtij projekti që reflekton frymën e iniciativës Ballkani i Hapur, për komunikim më të lehtësuar mes popujve.