Lajme

Ministri i Jashtëm çek për Albanian Post: Kërkim falja e presidentit për Serbinë është veç deklaratë e tij personale

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jakub Kulhanek, ka thënë me anë të një përgjigje me shkrim për Albanian Post se kërkim falja e Presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për bombardimin që NATO i bëri Serbisë në vitin 1999, është deklaratë e tij personale dhe përfaqëson vetëm mendimin e tij.

Më pas, duke komentuar zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ai shtoi se “politika e këtij rajoni ka shumë ndërlikime”, prandaj “nevojitet një dialog afatgjatë për të zgjidhur jo një, por dhjetëra, në mos qindra veprime të gabuara”.

Megjithëkëtë, përkundër se e ka distancuar si zë institucional presidentin e tij, ai e ka falënderuar atë për angazhimin e tij për marrëdhënie të mira në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Qoftë në nivelin ekonomik apo politik. Në një masë të madhe, këto marrëdhënie aktuale janë të mëdha falë Presidentit Zeman dhe unë e vlerësoj atë”, shtoi ai.

Të martën Presidenti i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman, gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd, i ka kërkuar falje presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për bombardimin që NATO i bëri Serbisë në vitin 1999.

Zeman theksoi se Republika Çeke ishte një anëtare e re e NATO-së, në një kohë po kërkonte një mënyrë për të parandaluar bombardimet e NATO-së, por ajo nuk kishte gjetur mbështetje.

“Ne kërkuam pëlqimin, dhe dëshpërimisht kërkuam që të paktën një vend të ishte kundër bombardimeve, por ne mbetëm vetëm. Ishte ende një mungesë guximi”, u shpreh Zeman të martën.

Çekia ishte bërë anëtare e NATO-s vetëm 12 ditë para se të fillonin bombardimet ndaj Serbisë.

Fushata ajrore 11-javore ndaj Serbisë, ishte ndërhyrja e parë ushtarake nga Aleanca Veri Atlantike kundër një shteti sovran në historinë 50-vjeçare të NATO-s.

Presidenti Zeman shërbeu si kryeministër midis viteve 1998 dhe 2002 përpara se të merrte detyrën e presidentit në vitin 2013.

Sipas mediave çeke ai ka favorizuar lidhjet miqësore me Rusinë për vite me radhë.

Albanian Post ka pyetur zyrën për media të kryeministrit të Kosovës dhe presidencës, nëse kjo deklaratë e Zeman, mund t’i zbehë raportet me këtë shtet, por që nga këto dy institucione nuk kanë kthyer përgjigje. /Albanianpost.com