Mijëra të kthyer nga Kosova për një ditë: SVP kërkon teste të shpejta për ta
Gjatë sezonit festiv, në aeroportet zvicerane kishte më shumë gjallëri se sa kishte pasur për një kohë të gjatë – edhe për shkak të faktit se qytetarët me prejardhje të huaj vizitonin familjet në atdheun e tyre të vjetër, shkruan albinfo.ch.
Sic raporton nau.ch pushimet kanë shkaktuar kokëçarje tek autoritetet zvicerane për javë të tëra, transmeton albinfo.ch. Ekziston një frikë e madhe se shumë njerëz mund të jenë infektuar në festat familjare.
Por, “bilanci i dëmtimit” në kuptimin e numrave të infeksioneve me koronavirus do të zbulohet në ditët në vijim.
Ndërkaq, në Zvicër, rregullat gjatë ditëve të pushimit ishin të rrepta. Maksimalisht dhjetë persona janë lejuar të qëndrojnë bashkë, restorantet ishin të mbyllura dhe grumbullimet në hapësirat publike, rreptësisht të kufizuara.
Shumë persona me prejardhje të huaj kanë udhëtuar në vendin e tyre për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Në veçanti diaspora e madhe kosovare ka treguar gatishmëri të madhe për të udhëtuar, përcjell albinfo.ch. Të paktën kështu tregojnë aterrimet e avionëve nga Prishtina.
Vetëm më 2 janar, afër 50 aeroplanë nga kryeqyteti kosovar kanë aterruar në Aeroportin e Bazelit; më 3 Janar ishin 25 aeroplanë.
Dhjetëra avionë nga Prishtina kanë aterruar gjithashtu në pistën e Aeroportit të Cyrihut në ditët e fundit.
Kjo nuk duhet të jetë problematike sepse Kosova, për shembull, nuk është në listën federale të karantinës që nga fundi i shtatorit.
Kështu, mijëra të kthyer nga Prishtina dhe qytete të tjera mund të nisin punën e tyre dhe të takohen përsëri me miq, duke filluar nga sot.