Shqipëri

Meta paralajmëron referendum për ndryshimin e Kushtetutës?! ‘Do t’i drejtohem popullit për të mbrojtur demokracinë

Të dështuara dhe të vdekura i ka konsideruar presidenti Ilir Meta përpjekjet, sipas tij, për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe nëpërmjet saj edhe kapjen e të gjithë sistemit të drejtësisë.

Në një prononcim për gazetarët, Meta dha një paralajmërim për të gjithë ata që, sipas tij, synojnë të kapin drejtësinë.

“Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri sesa Kushtetuta, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekja për të dhunuar Kushtetutën në përpjekje për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura”, theksoi Meta.

Meta theksoi se nuk ka asnjë konflikt institucional dhe kushtetues pasi çdo konflikt “është tërësisht i zgjidhur për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën”.

“Askush të mos guxojë të prekë Gjykatën Kushtetuese”, tha Presidenti, teksa shtoi se “do të jetë detyrë e popullit të Shqipërisë dhe Presidentit që t’i tregojë vendin kësaj bande uzurpatore”.