Merret vendimi: Një muaj paraburgim
Gjykata Themelore ka caktuar një muaj paraburgim për Ikballe Berisha-Hudutin, e cila është arrestuar më 7 janar nga policia pas deklaratës që bëri kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit.
Nga Gjykata Themelore në Prishtinë thonë se ata kanë vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës I.H për shkak të veprës penale shtytja për kryerjen e veprave terroriste.
“Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka aprovuar propozimin e prokurorit për caktimin e parabugimit. Gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara nga neni 187 par. 1 nënpar.1.1, neni 187 par. 1 nën par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 si dhe neni 187 par.1 nën par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.3”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura I.H ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, ku dëshmohet postimi i të pandehurës në rrjetin social Facebook, e me të cilat postime është bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste. Po ashtu Gjykata ka konsideruar se ekziston frika e bazuar se po që se e pandehura do të mbrohet në liri mund ti qaset arratisë për ti ikur përgjegjësisë penale para së cilës ndodhet, ku në këtë mënyrë do ta pengoj rrjedhën normale të procedurës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.