Bota

Merkeli thotë se ka qenë e shënjeshtruar nga hakerët rusë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se posedon prova konkrete që dëshmojnë se ka qenë e shënjestruar nga ana e hakerëve rusë.

Ajo shprehu zhgënjimin e saj “për këtë përpjekje të egër spiunimi nga ana e Rusisë”, raporton AFP.

“Unë sinqerisht mund të them që ky fakt më shkakton dhembje. Çdo ditë përpiqem të krijoj një marrëdhënie më të mirë me Rusinë dhe nga ana tjetër ka prova kaq të forta që forcat ruse po e bëjnë këtë”, i tha ajo parlamentit gjerman.

Duke i quajtur sulmet e tilla kibernetike “më shumë se të pakëndshme”, Merkel paralajëmroi sanksione të ashpra ndaj Moskës, nëse një aktivitet i tillë nuk ndalet.

Shërbimi i inteligjencës së Gjermanisë ka njoftuar në mënyrë të përsëritur përpjekjet e hakerëve rusë, për të spiunuar ligjvënësit ose politikanët kryesorë gjerman, transmeton REL.

Mediat gjermane kanë raportuar se në mesin e informacioneve të kopjuara nga hakerët në vitin 2015 ishin edhe të dhënat nga llogaria e postës elektronike të kancelares Merkel.

Ai sulm kishte shënjestruar edhe parlamentin gjerman.

Merkel tha se hetuesit për sulmin kibernetik të vitit 2015 kishin identifikuar një të dyshuar specifik.

Mediat gjermane kanë emëruar të dyshuarin si Dmitry Badin, i cili gjithashtu kërkohet nga Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara, për sulme të tjera kibernetike, përfshirë ato që pretendohen se kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së më 2016.
Merkel ka theksuar gjithmonë rëndësinë e dialogut me Rusinë, por duke e bërë të qartë kundërshtimin e saj për veprimet e Moskës në fusha të ndryshme – nga aneksimi i Krimesë në Ukrainë, deri tek ndërhyrjet në zgjedhje dhe mbështetja e Moskës ndaj qeverisë së Bashar al-Asadit në Siri.