Bota

Merkeli paralajmëron se pandemia do të përkeqësohet

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se pandemia e koronavirusit do të përkeqësohet gjatë muajve të ardhshëm dhe se jeta nuk do t’i kthehet normalitetit deri në gjetjen e vaksinës që do të luftojë virusin vdekjeprurës.

Në konferencën për media, Merkel u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të mbrohen nga virusi.

Ajo ka bërë të ditur se Komisioni Evropian është duke kontaktuar kompani të ndryshme për të siguruar vaksinat kundër Covid-19.

Derisa shumica e vaksinave në zhvillim aktualisht janë në faza të testimeve, Komisioni Evropian ia ka paguar 336 milionë euro kompanisë britanike “AstraZeneca” për të siguruar së paku 300 milionë doza të vaksinës.

Kancelarja të enjten ka mbajtur një takim me liderët e shteteve gjermane.

Ata janë pajtuar për një formë standarde të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Madje, janë pajtuar për hapjen e shkollave dhe me vendimin për të ndaluar shumicën e ngjarjeve sportive për së paku deri në fund të vitit 2020.