Lajme

Me asnjë votë kundër – Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së aprovoi marrëveshjen me VV-në

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje, me asnjë votë kundër.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përfunduar mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të partisë. Në këtë mbledhje u ratifikua marrëveshja me VV-në e cila u nënshkrua sot nga krerët e të dyja partive

Para se të nis mbledhjen me anëtarët e Këshillit, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tha se qëndrimi i LDK-së ka qenë përfaqësimi jo vetëm në qeveri, por edhe në organet më të larta.

“Ajo që ne e kemi mbajtur si qëndrim, dhe kemi qenë të bindur se është qëndrim i Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, është ndarja e përgjegjësive në bashkëqeverisje në harmoni mke votën që e kemi marrë nga qytetarët. Po ashtu, jemi angazhuar që të mos jemi të përfaqësuar edhe në qeveri, por të jemi të përfaqësuar edhe në organet më të larta siç është Kuvendi dhe më vonë çështja e Presidentit të Republikës”, tha Mustafa.

Mustafa shtoi se me VV-në kanë biseduar gjatë, por këtyre bisedimeve iu ka prirë harmonizimi i programit qeverisës në të gjitha fushat.

Ai foli edhe për numrin e ministrive, duke theksuar se partnerët e koalicionit do t’i kenë nga 6, ndërsa minoritetet 3.

“Përfundimisht jemi marrë vesh që qeveria të ketë 15 ministri, prej të cilave 12 i kanë dy partnerët kryesorë LDK dhe VV, nga 6, nga një zëvendëskryeministër, ndërkaq 3 tjerat për komunitete. Në qoftë se shtrohet pyetja pse është bërë rritja e numrit të ministrive, do të them se është bërë me propozimin e kandidatit për kryeministër, me arsyet që i kemi vlerësuar të qëndrueshme, që të mos humbin kohë me bashkim të listave të ministrive që kanë vepruar ndaras. Janë trashëguar 21, dhe prej 21-ve janë ulë në 13, janë 6 më pak”, u shpreh Mustafa.

Ai tutje përmendi edhe çështjen e kryeparlamentarit, ku theksoi se është arritur marrëveshja që kandidati të jetë nga LDK-ja do të propozohet të hënën në Kuvend nga VV-ja.

“Sa i përket kryetarit të Kuvendit është arritur marrëveshja që VV, meqenëse i takon me Kushtetutë dhe me Ligj, ta propozojë kandidatin për kryetar, do tëe thotë Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojë kandidatin e LDK-së për kryetar dhe atë me mandat të shkallëzuar ose me mandat 1-vjeçar”, tha Mustafa.

Mustafa foli edhe ëpr çështjen e presidentit të vendit, ku tha se kjo do të rregullohet ndërmjet liderëve të të dyja partive.

“Sa i përket presidentit të vendit, jemi marrë vesh që çështja të rregullohet ndërmjet dy liderëve, si akt i veçantë i marrëveshjes dhe për këtë çështje, edhe këtë e kemi tejkalua, është çështje që na mbetet neve, jemi marrë vesh që të mos e hapim tani për diskutim”, tha Mustafa.

Mustafa tutje tha se deputetët e LDK’së do të jenë të hënën në Kuvend për të votuar karshi vendimit që do të merret sot në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

“Formalisht marrëveshja ka përfunduar, përfundimin definitiv e bëjmë në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së ashtu si e kemi të paraparë me statut. Deputetët tanë nesër do të jenë në kuvend, besoj plotësisht se do të votojnë karshi vendimit qe e merr këshilli i përgjithshëm i LDK-së”, u shpreh Mustafa.