Mbledhjet e qeverive shqiptare me fjalime pompoze, marrëveshjet mbesin të pazbatuara
Kosova dhe Shqipëria nuk kanë nevojë të nënshkruajnë më marrëveshje të reja, por të zbatojnë ato që janë arritur deri më tani.
Në mbledhjen e dy qeverive shqiptare, e cila është e gjashta me radhë dhe e cila është paraparë të mbahet nesër në Tiranë, janë paraparë të nënshkruhen 15 marrëveshje mes njëra-tjetrës.
Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha thotë se përkundër marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë që Kosova të jetë pjesë e minishengenit për integrim rajonal, Kosova duhet të ketë marrëdhënie të veçanta me Shqipërinë.
“Nuk duhet shikuar minishengeni në kontekstin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Minishengeni është një projekt rajonal ku Shqipëria dhe Kosova janë zotuar që do të përfshihen në minishengen. Pamarrë parasysh integrimet rajonale, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të shihen si marrëdhënie midis dy vendeve të pavarura, të cilat kanë një histori të përbashkët, gjuhë të përbashkët, kombësi të përbashkët. Tash problemi është që ne po nënshkruajmë vazhdimisht marrëveshje të reja, memorandume të bashkëpunimit midis dy vendeve, por ato ekzistueset nuk janë duke u zbatuar, kështu që në shumicën e rasteve këto takime kanë pasur një karakter ku kemi pasur një dekorim të bukur, fjalime pompoze, por aspekti praktik për lehtësimin të bizneseve në midis dy vendeve ajo është për të dëshiruar”, thotë Panxha.
Panxha ka thënë se në aspektin ekonomik, Kosova ka shumë më shumë vështirësi me depërtuar në tregun e Shqipërisë, sesa bizneset e Shqipërisë në Kosovë.
Kryetari i Bordit të OAK, Skënder Krasniqi ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet jenë më të hapura për një treg më të integruar shqiptarë.
“Kosova ka nevojë që shumë marrëveshje t’i implementoj, edhe ato të nënshkruara më herët, të cilat nuk janë zbatuar nga zotimet e qeverive të kaluara. Ka nevojë që shumë marrëveshje t’i implementojë në mënyrë që tregu shqiptar të integrohet dhe të ketë një liberalizim, sepse Kosova dhe Shqipëria kanë më shumë liberalizim me vendet e tjera sesa këto dy vende. Kjo si rezultat i mosimplementimit të shumë problemeve të cilat ne vazhdojmë t’i adresojmë në kontinentet. Ka mosnjohje të dokumentacionit… fatkeqësisht këto probleme po vazhdojnë”, thotë Krasniqi.
Po ashtu, kreu i OAK ka thënë se Republika e Kosovës ka krijuar pengesa ligjore për liberalizmin e tregut të punës me Shqipërinë, e që duhet sipas tij të zgjidhet sa më parë.
“Sot iu kemi drejtuar edhe të dy kryeministrave në prag të takimit të nesërm, ku kemi kërkuar që të bëhet liberalizimi i tregut të punës, sepse një qytetarë nga Tirana për me u punësua në Prishtinë ose një qytetar nga Kukës për me u punësuar në Prizren gati e ka të pamundura me letra, dhe shumica janë duke punuar në tregun e zi si rezultat i pengesave ligjore që i ka bërë në këtë rast më shumë Kosova sesa Shqipëria”, thotë ai.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka thënë se është mirë që takohen dy qeveritë shqiptare, megjithatë, sipas tij, Kosovës dhe Shqipërisë nuk i mungojnë marrëveshjet por zbatimi dhe implementimi i tyre.
Takimi i nesërm në Tiranë, sipas Gërxhaliut është më tepër një spektakël politik sesa me një substancë politike dhe ekonomike.
“Po ndodhë kjo në kohën kur uniteti politik është në pikën më kritike. Sot qeveria ka maksimalisht 60 deputet dhe e tëra kjo këtij takimi i jep një epitet shumë më tepër medial, spektakël politik sesa me një substancë politike dhe ekonomike. Në këtë drejtim besoj që më e rrugës është që të kemi përgjegjësi për zbatim dhe jo vetëm nënshkrim dhe fotografim… Duhet të kuptohet se partneriteti bilaterale ka rëndësi të pa kontestuar dhe në këtë drejtim duhet të eliminohen barrierat… Në vazhdën e shumë marrëveshjeve që duhet të zbatohen duhet të jetë edhe ajo për liberalizimin e lejeve të punës, sepse jemi dy ekonomi komplimentare… Prandaj, në këtë drejtim duhet më tepër të jemi konkret, t’i eliminojmë barrierat sasa të mbajmë marketing politik dhe problemet të bartën nga viti në vit”, thotë Gërxhaliu.
Sa i përket liberalizimit të tregut të punës Kosovë- Shqipëri, drejtori i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha ka thënë se lëviza e fuqisë punëtore duhet të jetë prioritet për të dy qeveritë shqiptare.
Ai thotë se është e pakuptim që qytetarët e të dyja vendeve të presin më muaj të tërë për leje të punës.
“Lëvizja e kapitalit dhe lëvizja e mallrave si dhe lëvizja e fuqisë punëtore duhet të jenë prioritet për të dy qeveritë, të mos ketë pengesa. Po jo vetëm pengesa, por të shikohen modalitetet se çfarë lehtësoi dhe stimuj duhet t’i jepen këtyre tre faktorëve që në të integrohemi sa më lehtë njëri me tjetrin”, thekson Panxha.
Deri më tani janë mbajtur pesë takime të përbashkëta dhe janë nënshkruar mbi 70 marrëveshje, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimim./Kosovapress