Të fundit

Martinoviq dhe Mitroviq: Kërkesa e Kamberit dhe deputetëve boshnjak e motivuar politikisht dhenë kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjet

Kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dr. Aleksandar Martinoviq, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, lidhur me iniciativën për “program të veçantë pranimi të të rinjve nga komunitetet shqiptare dhe boshnjake në radhët e policisë lokale në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak”, të cilën ia kanë drejtuar kryeministrit të Republikës së Serbisë deputeti Shaip Kamberi dhe deputetët e SDA-së së Sanxhakut, Ahmedin Shkrijelj dhe Minela Kalender, theksojnë se bëhet fjalë për një veprim të motivuar politikisht, i cili është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjet, Kushtetutën dhe parimet e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Serbisë.

Sipas tyre, qytetarët me kombësi shqiptare dhe boshnjake gëzojnë të gjitha të drejtat si edhe qytetarët e tjerë të Republikës së Serbisë, përfshirë të drejtën e pjesëmarrjes në të gjitha konkurset publike të shpallura nga organet shtetërore. Futja e “programeve të veçanta” për një grup etnik do të nënkuptonte vendosjen e standardeve të dyfishta, favorizimin e disa dhe diskriminimin e të tjerëve — serbëve, romëve dhe qytetarëve të tjerë të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Sipas deklaratës, programe të tilla në praktikë përjashtojnë zbatimin e rregulloreve dhe respektimin e ligjit në një territor të Republikës së Serbisë, duke vënë kështu jashtë funksionit procedurat e konkurseve. Punësimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme zhvillohet vetëm në përputhje me ligjin, me të njëjtat kritere dhe kontrolle sigurie për të gjithë kandidatët, pa asnjë përjashtim. Pjesëtarët e policisë janë persona të autorizuar që mbrojnë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare.

Ata shprehen se është pozitive që merren parasysh iniciativa që do të nxisin pjesëmarrjen më të madhe të të rinjve në institucionet e sistemit, por sipas tyre, këto iniciativa duhet të fokusohen në nxitjen e të mësuarit të gjuhës serbe si gjuhë jo-amtare, inkurajimin e të rinjve për të aplikuar në konkurset publike dhe promovimin e respektimit të ligjit dhe institucioneve.

Në deklaratë përkujtohet se Shërbimi i Trupit Koordinues, në bashkëpunim me komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka shpallur konkurse për bursa studentore për studime në fakultetet e universiteteve të Republikës së Serbisë, për të cilat këtë vit nuk ka mbërritur asnjë aplikim nga kandidatët e kombësisë shqiptare. Sipas tyre, kjo tregon se problemi nuk qëndron te procedurat e konkurseve, por te strukturat politike që i dekurajojnë të rinjtë nga integrimi në institucionet e shtetit.

Ata e konsiderojnë këtë iniciativë si një përpjekje për të krijuar tensione të panevojshme dhe krizë politike në komunat Preshevë, Bujanoc dhe në rajonin e Rashkës. Trupi Koordinues do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e kushteve të jetesës së të gjithë qytetarëve, në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë dhe parimet e barazisë e mosdiskriminimit.

Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë