Maqedoni

Maqedonia rrit eksportin në Kosovë për 41 për qind, reagon Serbia

Taksa 100 për qind e Qeverisë së Kosovës për produktet serbe, ka ndryshuar edhe logjistikën tregtare të shteteve në rajon.

Pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë 100 për qind për produktet serbe, eksportet nga vendet tjera të rajonit janë rritur.

Një nga vendet që ka rritur eksportin në Kosovë për 41 për qind është Maqedonia, e këtë Serbia dhe mediat serbe e kanë quajtur “përfitim në fatkeqësinë e Serbisë”, transmeton lajmi.net.

Opinionet e biznesmenëve në Shkup janë të ndara, pasi disa mendojnë se ky përfitim është afatshkurtër, ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo mundësi duhet të përdoret për të tregtuar produkte cilësore që do të jenë aktuale në tregun e Kosovës edhe pas tërheqjes së taksës nga Kosova për produktet serbe.

Siç shkruan media serbe ‘Danas’, lufta tregtare midis Kosovës dhe Serbisë, ka vënë në funksion proverbën “Derisa dy persona luftojnë, përfiton i treti”.

Sa i përket rritjes së eksportit të produkteve të Maqedonisë në Kosovë e vërteton edhe një fotografi e dërguar nga një lexues i lajmi.net, ku shihet se tani ‘CocaCola’ e cila para taksës importohej nga Serbia, tani importohet nga Maqedonia, gjegjësisht Shkupi.

Statistikat tregojnë se eksportet e Maqedonisë në Kosovë u rritën për 41 për qind në dhjetor të vitit të kaluar.

Të dhënat e drejtorisë doganore tregojnë se vlerat e përgjithshme të eksporteve maqedonase në Kosovë gjatë dhjetorit të vitit 2018 arrijnë 1.1 miliardë denarë maqedonas ose mbi 18 milionë euro dhe në të njëjtin muaj, në 2017, kishin vetëm 13 milionë euro përfitime.

Media maqedonase Veçer ka shkruar se disa biznesmenë maqedonas theksojnë se përdorimi i një mundësie të tillë nga Maqedonia mund të keqinterpretohet nga Serbia, kështu që “do të kufizojë apo ndalojë eksportin e produkteve maqedonase në të ardhmën”.

Komuniteti i biznesit në Maqedoni mendon se masat e Kosovës për produktet serbe janë shqetësuese nga pikëpamja e ndërprerjes së vendosshmërisë për të krijuar një treg të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Parimet mbi të cilat bazohet marrëveshja e CEFTA-s, zbatimi i të cilave është një nga kushtet themelore për përshpejtimin e hyrjes së vendeve të rajonit në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian”, thotë gazeta maqedonase Veçer.

Siç thuhet në përfundim, pushtimi i tregut të eksportit në rajon nuk duhet të jetë përmes barrierave doganore, por duke krijuar dhe respektuar marrëdhëniet liberale të tregut të biznesit, jo vetëm midis vendeve në një mjedis më të ngushtë, por me vendet e tjera, pa bllokadë dhe masë jo-ekonomike, duke lejuar idetë e rrjedhës së lirë të kapitalit.