Maqedoni e Veriut: Fillon regjistrimi i popullsisë pas 19 vjetësh
Në Maqedoninë e Veriut ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë. Pas 19 vjetësh ky do të jetë censusi i parë që do të japë një numër të saktë dhe për shqiptarët që banojnë në Maqedoninë e Veriut, por dhe ata në diasporë.
“Ky proces nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe me të dhëna individuale. Gjithçka që do të mblidhet, do të përdoret për statistikë. Nuk do të publikohen të dhëna individuale me çka do të rrezikoheshin qytetarët”, u shpreh regjistruesi Bekim Berisha.
Zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Ilmi Selami, bëri apel që qytetarët të mirëpresin regjistruesit dhe të injorojnë thirrjet për bojkot.
“Do ju kisha bërë apel të mos dëgjoni, të mos i vëni re, të mos i regjistroni aspak apelet e disa subjekteve politike minore, të disa personave, të disa grupeve të interesit, të cilët nuk e dinë se në cilin mulli po e çojnë ujin, do ju kisha bërë apel të mos i dëgjoni thirrjet e tyre për bojkot”, tha Selami.
Regjistrimi do të zgjasë deri më 30 shtator, ndërsa deri tani janë regjistruar rreth 191 mijë persona nga diaspora.