Shqipëri

Majko: Zgjedhjet lokale do përsëriten nëse vendos Kushtetuesja

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka shprehur në emër të Partisë Socialiste gatishëmrinë për të ribërë zgjedhjet vendore, nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë për legjitimitetin e dekretit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për anulimin e 30 qershorit.

I ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” në ABCNEWS, Majko tha se vendi shumë shpejt do të këtë një Gjykatë Kushtetuese dhe është kjo instancë që do të caktojë nëse ka të drejtë Partia Demokratike apo Partia Socialiste. “Ne shumë shpejt do të kemi një Gjykatë Kushtetuese. Kjo Gjykatë jam i bindur që do të ndajë shapin nga sheqeri, nëse ka të drejtë PD-ja apo PS-ja. Nëse Gjykata thotë se PS-ja ka shkelur ligjin, ka shkelur dekretin, ka shkelur Kushtetutën, ne do të shkojmë përsëri në zgjedhje lokale. Por zgjedhjet lokale do të ribëhen me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pas Zotit, në Shqipëri vjen Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Majko.

Ministri i bërë thirrje opozitës për shmangien e përplasjeve, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar ligjshmërinë e zgjedhjeve që priten të mbahen të dielën e ardhshme.

“Këshilla ime është që të mos shkohet te përplasja. Është e paimagjinueshme që partia që krijoi votën e lirë pas viteve ‘90, të nxjerrë njerëzit në rrugë për t’i penguar ata që të votojnë. Është e paimagjinueshme. Prandaj, mendoj se më qetësi dhe me dashuri ta mendojnë të shtruar dhe ka boll njerëz të mençur, të shkojnë nesër në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojnë nëse janë të mendimit se dekreti i Presidentit është i ligjshëm dhe se ne jemi duke bërë zgjedhje të paligjshme, të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe jo të djegin shkolla”, tha zyrtari i lartë i PS-së.

Kur do ngrihet Gjykata Kushtetuese?

Nga mazhoranca ka sinjale se Gjykata Kushtetuese do të ringrihet deri në korrik. Ju sjellim në kujtesë deklaratën e kryetarit të Ligjeve Ulsi Manja më datë 31 Maj:

“Unë shpresoj dhe besoj se brenda korrikut Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale. Në fazën ku është procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga KED, unë them që jo brenda Korrikut po e po, por unë shpresoj që brenda 20 Korrikut ta kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese.