FutbollSporti

Madridi është i tyre, Mbretërit sundojnë edhe në Wanda Metropolitano 

Real Madridi ka arritur të fitojë në udhëtim te rivali i urryer, Atletico Madridi, me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në La Liga.

Mbretërit kanë arritur edhe fitoren e pestë me radhë në kampionatin spanjoll dhe janë ngritur në pozitën e dytë pas fitores ndaj Atleticos.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të mysafirëve, të cilët arritën të shënojnë edhe dy gola, kundrejt një të vendasve.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 16-të dhe ishte Casemiro, i cili shënoi një supergol me gjysmë gërshërë për 0-1.

Atletico arriti të kthehet në lojë në minutën 26-të duke barazuar rezultatin 1-1 me anë të francezit Antoine Griezmann.

Ky gol nuk dekurajoi mysafirët të cilët vazhduan lojën e tyre dhe në minutën e 42-të shënuan me anë të Sergio Ramosit, i cili ishte i saktë nga penalltia për 1-2.

Në pjesën e dytë, vendasit filluan mirë duke barazuar me anë të Alvaro Moratas (55′), por gjyqtari anuloi golin pas rishikimit të VAR-it.

Pas këtij goli, ishin Mbretërit që luajtën më mirë dhe arritën të shënojnë edhe një gol me anë të Gareth Bale (74′), i cili shënoi për 3-1 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.

Me këtë fitore, Reali e sheh veten në pozitën e dytë me 45 pikë apo pesë më pak se Barcelona në vendin e parë, ndërsa Atletico zë vendin e tretë me 44 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Los Blancos e presin në shtëpi Gironona, ndërsa Atletico udhëton te Vallecano.