Të fundit

LPD,PVD dhe PD i dërgojnë letër Pajazitit: Na udhëheq të ndërtojmë koalicion shqiptar në Bujanoc

Treshja e subjekteve politike: Lëvizja e Progresit Demokratik, Partia Demokratike dhe Partia për Veprim Demokratik i kanë dërguar sot një ftesë publike Frontit për Ndryshim, gjegjësisht prijësit të tij, Arbër Pajaziti, ku i kërkohet të heq dorë nga marrëveshja e nënshkruar e koalicionit me serbët dhe romët lokal duke ia ofruar kryetarin e komunës dhe një pushtet gjithëshqiptarë.


Në letrën e nënshkruar nga tre subjektet, e të shpërndarë në Facebook nga kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu, thuhet se oferta bazohet nga rekomandimet e instancave mbarë kombëtare.

Aty ndër të tjera thuhet se me SNS-in Pajaziti nuk do të ketë aspak pushtet real por vetëm simbolik.

Kujtojmë se pas çertifikimit të rezultateve zgjedhore, Fronti për Ndryshim, në cilësinë e fituesit kishte ftuar dy herë në takime përfaqësuesit e subjekteve në fjalë për të parë mundësinë e formimit të institucioneve të reja.

LPD, PD dhe PVD nuk iu kishin përgjigjur ftesave dhe as që kishin dërguar ndonjë përgjigje arsyetuese.

Ndërkohë, si bllok i krijuar para zgjedhjeve, kishin realizuar një takim me SNS-in dhe një cikël takimesh me GQ „Dr. Dejan“ për të gjetur ujdinë rreth krijimit të një koalicioni bashkëqeverisës.

Burime të ndryshme kishin pohuar se në takimin e fundit midis treshes shqiptare dhe GQ „Dr. Dejan“ ishin paraqitur ofertat konkrete për pozitat në pushtetin lokal.

Të nesërmen, për befasinë e të gjithëve, lista „Dr Dejan..“ ndërron anë dhe i bashkangjitet (bashkë me SNS) Frontit për Ndryshim në koalicionin qeverisës. /FOLonline