FutbollSporti

Lorent Tolaj futet në histori, shënon 8 gola në një ndeshje te Zvicra

Përfaqësuesja e 19-vjeçarëve të Zvicrës ka mposhtur lehtësisht ekipin e Gjibraltarit U-19, ndaj të cilëve ka shënuar goleadë, duke e përfunduar ndeshjen në shifrat 1-16. Por ajo çfarë vihet re është se 11 prej këtyre realizimeve mbajnë firmën e shqiptarëve.

Kështu Orgen Bunjaku ka arritur të mposhtë portierin kundërshtar 3 herë si dhe ka asistuar 5 herë për shokët e ekipit, ndërsa rekordi vjen nga një tjëtër talent shqiptar. Lorent Tolaj është emri i sulmuesit të lindur në Zvicër por me prejardhje nga Kosova, që ka tundur rrjetën e Gjibraltarit plot 8 herë gjatë takimit. Futbollisti 18 vjeçar ka thyer kështu rekord te helvetët, duke qenë lojtari që ka shënuar më shumë gjatë një ndeshje për kualifikueset e Europianit për përfaqësuesen e Zvicrës U-19.

Duke parë numrin e golave, duket e vështirë që ky rekord të thyhet në të ardhmen, megjithëse në futboll nuk ka asgjë të pamundur. Ndërkohë Tolaj është pjesë e moshave të skuadrës angleze të Brightonit, me të cilët ka arritur të shënojë 8 gola në 7 ndeshje. Shifra të frikshme këto për sulmuesin e ri, që nëse vazhdon të mbajë një ritëm të tillë, mund ta çojë emrin e tij shumë lart në arenën botërore të futbollit.